E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, akuza PS-së:Ish-ortakët e krimit, po i bëni liderë politikë



Maxhoranca dhe opozita u përfshinë dje në një debat të ashpër, ku deputetët e PS-së dhe ministrat e Qeverisë nuk kursyen akuzat e rënda ndaj njëri- tjetrit. Shkaku ishte miratimi i disa ndryshimeve ligjore në Policinë Gjyqësore, për të cilat deputetët e opozitës deklaruan se Qeveria kërkon të ulë kompetencat e Prokurorisë dhe të zaptojë policët gjyqësorë. Ata rikthyen çështjen Fazlliç. Por ministrat e Qeverisë deklaruan se ligji vjen me konsensus mes të gjithë aktorëve në Kuvend, por që akuzuan opozitën si të lidhur me krimin. "Lexojeni mirë ligjin dhe do të shihni se aty i jepen të drejta prokurorisë, të cilat ju ia hoqët në vitin 2000 sepse nuk iu interesonte kualifikimi i policisë por iu interesonte, sepse natyrisht përplaseshit me kriteret e Nehat Kullave dhe Aldo Bareve e ortakëve të tjerë që iu mbanin në pushtet e që sot i riaktivizoni në mënyrë të turpshme në protestat tuaja politike", deklaroi Basha. Kjo deklaratë e ministrit erdhi pas reagimit të deputetëve të PS-së Erjon Braçe e Sajmir Tahiri të cilët u shprehën se efektivat e policisë janë spastruar dhe janë mbushur me militantë politikë. "Në krye të hetimit sot është badigardi i Kryeministrit Berisha. të mos i hymë historisë me policët. Sepse edhe ai tjetri që shkoi të rrihet në Hamallaj ishte kandidat për deputet", tha deputeti i PS-së Erjon Braçe. "Në ketë ligj përsëri do të krijohen probleme lidhur me efikasitetin e policisë gjyqësore. Prokuroria e Përgjithshme ka dashur të heqë qafe këtë lloj vartësie dhe mund të këtë shprehur dëshirën që le ta ketë policia e shtetit pjesën më të madhe të hetimeve", u shpreh më tej deputetja e PS-së Vasilika Hysi.

Debati

Saimir Tahiri:Ju doni ta nënshtroni drejtësinë, ju doni ta keni policinë një mashë politike në dorën tuaj, po ju nuk mund ta ktheni policinë e shtetit në një zgjatim të Partisë Demokratike.
Erjon Braçe:Zoti ministër, Damir Fazlliç nuk është qytetar i lirë i këtij vendi. Fazlliç mund të jetë klient e biznesmen i lirë i këtij vendi. Mos na përlyeni shtetësinë tonë me shtetësinë e atij njeriu. Në krye të hetimit sot është badigardi i Kryeministrit Berisha. Të mos i hymë historisë me policët. Sepse edhe ai tjetri që shkoi të rrihet në Hamallaj ishte kandidat për deputet. Pavarësisht se jemi të rinj ne e dimë edhe fatin e Kadri Hazbiut. E dimë fatin e tij dhe e dimë se kush ia futi Kadriut. Ky ligj cenon Prokurorinë.
Lulzim Basha: Në policinë e shtetit ka kuadro që ju i hodhët në rrugë të cilët iu përveshën krimit në 2005 dhe 2006. Sigurisht që ju do ta keni inat atë drejtor sepse bashkë me ministrin që ju ofenduat, çmontuan infrastrukturën e krimit që iu mbante në pushtet. Ndërsa ata që ishin ortakët e atyre kriminaleve i riktheni në gjirin tuaj si liderë politikë pasi ne i flakëm. Për ju koha ka ngelur, ndërsa koha e Kadri Azbiut ka 30 vjet që ka kaluar e nuk vjen më.
Bujar Nishani:Modeli ynë është për shtetin ligjor, për zbatimin e ligjit, për mbrojtjen kushtetuese dhe ligjore të çdo qytetari, ndërsa ju merrni në mbrojtje akte të një prokurori, i cili urdhëronte policin me telefon celular, arrestoje pak atë që ke përballe. Këto janë metoda gestapoje, jo të një shteti ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›