Deda: Megafarma bleu kompaninë e Dritan Priftit për 1.8 milionë euro
Opozita akuzon ministrat e Qeverisë Berisha, konkretisht ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasilin dhe atë të Ekonomisë Dritan Priftin, për korrupsion me tenderin e ilaçeve. Deputeti i PS-së Eltar Deda thirri dje në interpelancë parlamentare Ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasilin, të cilin e akuzoi se favorizon një kompani farmaceutike në tenderimin e ilaçeve. Sipas deputetit të PS-së, kjo kompani është pjesë e rrethit familjar të Vasilit, e që më pas drejtori i asaj kompania ka blerë pasurinë e ministrit tjetër Dritan Prifti. "Megafarma është një kompani farmaceutike, distributor farmaceutik, i cili është rreth i familjes tuaj dhe drejt kësaj kompanie janë adresuar të gjitha tenderët", tha Deda. Ministri Vasili nuk mundi të reagojë pas kësaj akuze të drejtpërdrejtë, për shkak të mbylljes së interpelancës, por më herët ai i cilësoi këto akuza si të stisura. "Ju po flisni për tenderë të cilat kanë 4 vjet që nuk bëhen më në ministri. Duket që s'keni aspak përvojë në drejtim", tha Vasili. Nga ana tjetër, sipas deputetit të PS-së Deda, "pronari i Megafarmës është një zotëri që quhet Rasim Hamzaraj, ka blerë pasurinë e ministrit Dritan Prifti që shkon në 1.8 milion euro".