Vizat, BE miraton vendimin më 8 nëntor
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian do të votojë heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, në mbledhjen e 8-9 nëntorit. Ministrat e Bren-dshëm kanë miratuar axhendën për muajt e ardhshëm brenda Presidencës belge, ku rezulton se në mbledhjen e parafundit, një prej pikave të diskutimit të tyre është edhe heqja e regjimit të vizave me këto dy vende. Kështu në rendin e ditës së kësaj mbledhje, në pikën 8 të saj thuhet se "amendamenti i Rregullores (Komisioni Europian) Nr 539/2001 mbi listën e vendeve te treta, ku qytetarët detyrohen të marrin vizë për të shkelur kufirin e vendeve anëtare, dhe të listës së atyre vendeve ku qytetarët përjashtohen nga ky obligim". Nëse Ministrat e Brendshëm të vendeve të Bashkimit Europian do të marrin vendimin pozitiv, siç edhe pritet, hyrja në fuqi e tij do të bëhet 20 ditë më pas, kohë në të cilën vendimi botohet në fletoren zyrtare. Kjo datë përkon me festat kombëtare të Shqipërisë, më 28- 29 nëntor. Ndërkohë, zyra e shtypit e Komisionit Europian në Tiranë bëri të ditur dje përmes një njoftimi për mediat se shërbimet e Komisionit Europian, me pjesëmarrjen e ekspertëve të pavarur nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, përfunduan një mision teknik në Shqipëri në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave. Qëllimi i këtij misioni ishte të verifikojë në terren përparimin e bërë lidhur me kriteret e mbetura të identifikuara në propozimin e Komisionit Evropian, të miratuar më 27 maj 2010, për heqjen e detyrimit të vizave afatshkurtra për qytetarët shqiptarë. "Duke u bazuar në raportet e ekspertëve, shërbimet e Komisionit Europian do të përgatisin vlerësimin e tyre për përmbushjen e kritereve të mbetura. Ky vlerësim do t'u paraqitet në muajin shtator, Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian, të cilët do të vendosin më pas për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë", thuhet në njoftimin për shtyp. Liberalizimi i vizave afatshkurtra bën të mundur udhëtimin pa viza në Bashkimin Europian deri në 90 ditë (për një periudhë gjashtë mujore). Për qëndrime më të gjata, ende duhet një vizë afatgjatë dhe kjo vizë duhet marrë nga konsullata e Vendit Anëtar të Bashkimit Europian, ku është destinacioni. Për më tepër, liberalizimi i vizave afatshkurtra nuk aplikohet nëse qëllimi i udhëtimit është punë ose punësim. Në të tilla raste, përsëri do të kërkohet vizë dhe leje punësimi.