E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbizotërojnë lajmet e këqija ekonomike

Autori i Lajmit: red.
Presidenti Barak Obama thotë se është i alarmuar nga fakti se me sa shpejtësi është keqësuar ekonomia amerikane. Zoti Obama dha dje disa intervista për rrjetet televizive amerikane. Ai i bëri reklamë planit të tij për stimulimin ekonomik dhe tha se ajo që ai do të lërë pas si President do të varet nga fakti se sa i aftë do të jetë për ta shëruar ekonominë. Ai tha se ka vend për përmirësimin e planit me ndihmën si të republikanëve edhe të demokratëve në Kongres por shtoi se do të ishte me dobi, nëse do t u garantohej sigurim shëndetësor të papunëve, nëse do të investohej për t i izoluar më mirë shtëpitë për të kursyer energji dhe nëse do të krijoheshin vende pune që marrin parasysh ruajtjen e mjedisit. Plani, tha zoti Obama, do të sjellë një lehtësim afatshkurtër si dhe përfitime afatgjata.
Lajmet e këqija ekonomike vazhdojnë…
Në Shtetet e Bashkuara, industria e pronave të patundshme dha dje shenja të vogla për lajme të mira, por lajmet nga sektorët e tjerë vazhduan të jenë të këqija, ndërkohë që politikanët debatojnë se ç rrugë duhet zgjedhur për rigjallërimin e ekonomisë më të madhe të botës. Shoqata Kombëtare e Pronave të Patundshme tha se rëniet e mëdha në çmimet e shtëpive kanë shtyrë më tepër blerës të hyjnë në treg. Indeksi i shitjeve të shtëpive u rrit 6,5 % në muajin dhjetor. Ekspertët tërheqin vemendjen se treguesit e tjerë të pronave të patundshme vazhdojnë të jenë negativë. Lajmet nga tregjet e tjera ishin edhe dje të zymta. Në Japoni, Toyota njoftoi një rënie prej 32 % në shitjet e makinave për janarin ndërsa shitjet e firmës General Motors ranë gati 50%. Senatorët votuan mbrëmë rreth amendamenteve ndaj planit të presidentit Barak Obama për stimulimin e ekonomisë, një paketë me vlerë prej afro 900 miliardë dollarësh. Zoti Obama u bëri thirrje ligjvënësve të veprojnë me të njëjtin sens urgjence që shumica e amerikanëve ndiejnë çdo ditë.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›