E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i presidentëve: Fund krizës politike, po dëmtohet integrimi

26/07/2011  Topi takim pune me dy ish-presidentët, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani

Kriza e rënduar politike dhe dalja nga kjo situatë ka detyruar Presidentin Topi të zhvillojë një “seancë konsultash” me paraardhësit e tij në krye të shtetit shqiptar. Dy ish-presidentët, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, si dhe kreu aktual i shtetit, Bamir Topi, i bënë thirrje dje klasës politike shqiptare që t’i japin fund krizës politike, pasi po dëmtohet integrimi europian i vendit. Në një takim të zhvilluar paraditen e djeshme në Presidencë, kreu i shtetit dhe paraardhësit e tij në këtë detyrë në bisedën e tyre, të përqendruar kryesisht në zhvillimet më të fundit në vend, “ndanë shqetësimin dhe mendime të përbashkëta se situata e rënduar politike jo vetëm që dëmton demokracinë në vend dhe institucionet e saj, por vonon ecurinë e reformave të saj gjithëpërfshirëse dhe plotësimin e dymbëdhjetë kërkesave të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat”. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës, duke iu referuar kontributit dhe angazhimit publik të dy ish-krerëve të lartë si pjesëtarë aktiv të shoqërisë civile, Presidenti Topi theksoi se zëri i qytetarëve duhet të tejkalojë preferencat politike, në mënyrë që të arrihet konsolidimi i demokracisë në vend. “Shqipëria ka nevojë për zëra të fuqishëm qytetarë, për zëra dhe angazhime të pjesës civile e liberale të shoqërisë, që tejkalojnë thirrjet militante të partive politike”, - u shpreh Presidenti Topi. Në këtë drejtim, tre bashkëbiseduesit gjatë takimit të djeshëm theksuan domosdoshmërinë e uljes së tensioneve politike dhe rikthim në normalitet të jetës institucionale, sidomos asaj parlamentare. Gjithashtu Meidani, Moisiu dhe Presidenti Topi u bënë thirrje partive politike që të gjejnë vullnetin e duhur për kryerjen e reformave të domosdoshme në drejtësi, reformën zgjedhore, miratimin e ligjeve të rëndësishme, që kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe konsensus. Duke vlerësuar lart rolin e ekuilibruar dhe moderator të Presidentit Topi, “i cili ka treguar gjithmonë në çdo hap se është respektues i Kushtetutës dhe simbol i unitetit të popullit”, dy ish-presidentët vunë në dukje se “do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme, që përmes komunikimeve me tone të qeta e të matura, vijon të përmbushë misionin e lartë e tepër të rëndësishëm të kryetarit të shtetit, duke zbatuar rigorozisht Kushtetutën e Shqipërisë dhe të gjithë kuadrin ligjor”, - njoftoi dje Presidenca në lidhje me takimin e veçantë të punës mes kreut të shtetit dhe dy ish-presidentëve.

Dy ditë më parë Topi pati një takim edhe me ambasadorin e BE-së në Tiranë Etore Sekui, ku në qendër të bisedimeve ishte situata politike në vendin tonë, kapërcimi i ngërçit politik dhe domosdoshmëria e realizimit të reformave jetësore për integrimin evropian të Shqipërisë.

Dekretet e Topit: Eduard Halimi ministër i Drejtësisë, Aldo Bumçi te MTKRS-ja

Ndryshimet në qeveri, Halimi e Bumçi betohen para Presidentit

Qeveria pëson ndryshimet e para pas zgjedhjeve vendore të 8 majit

Ministrat e rinj në kabinetin qeveritar “Berisha”, ai i Drejtësisë dhe i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Eduard Halimi e Aldo Bumçi, janë betuar mesditën e djeshme para Presidentit Topi. Pa praninë e medieve, u zhvillua në ambientet e Presidencës ceremonia e betimit e dy anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave para Presidentit të Republikës, përkatësisht ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi dhe ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi. Nga dje Eduard Halimi ka nisur zyrtarisht detyrën e ministrit të Drejtësisë, ndërsa Aldo Bumçi atë të ministrit të Kulturës. Vendet ishin vakante që para zgjedhjeve të 8 majit dhe të enjten e kaluar në seancën e fundit plenare të legjislativit Halimi e Bumçi morën votëbesimin nga deputetët në Kuvend.

Në këtë seancë Kuvendi miratoi gjithashtu dekretin e Presidentit Topi për shkarkimin nga detyra të deputetit Ferdinand Xhaferri si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Shkarkimi i Xhaferrit erdhi për shkak të angazhimit të tij në garën elektorale të 8 majit për postin e kreut të Bashkisë së Durrësit. Me këto votime u plotësua dhe vakumi dymujor në qeveri, që u krijua pas kadidimit të Xhaferrit përballë Vangjush Dakos dhe Lulzim Bashës, i cili u shpall fitues në garën përballë kreut të PS-së Rama për kreun e Bashkisë së Tiranës. “Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit dhe formulës së betimit nga këshilltari juridik i Presidentit, me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, ministrat Halimi e Bumçi bënë betimin përpara Presidentit të Republikës Bamir Topi”, - bëri me dije dje Presidenca në lidhje me ceremoninë e betimit të dy ministrave të rinj. Qeveria pëson kështu ndryshimet e para pas zgjedhjeve vendore, por për deputetin demokrat Dashnor Sula të tjera ndryshime duhet të përfshijnë qeverinë. Sula në një dalje publike dy ditë më parë u shpreh i mendimit se ka ardhur koha për të rifreskuar kabinetin me emra të rinj. Kjo në kuadër dhe të zgjedhjeve të 2013-s, ku maxhoranca duhet të paraqitet më aktive se kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›