E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat do të bllokojnë vendorët

26/07/2011  Udhëzimi, përjashtim vetëm për furnizimin me ujë, pastrimin, apo kopshtet, shkollat e çerdhet

Kur ndërmarrjet në varësi të pushtetit vendor nuk shlyejnë pagesat ndaj të tretëve

Nëse ndërmarrjet në varësi të bashkive nuk paguajnë në kohë detyrimet ndaj të tretëve do të urdhërohet bllokimi i çdo veprimtarie ekonomike të tyre. Bëhet fjalë për ndërmarrje të tilla si ujësjellësit që mund të marrin edhe subvencione nga pushteti qendror. Me anën e një urdhri të përbashkët, ministri i Financave, ai i Ekonomisë dhe ai i Punëve Publike kanë rënë dakord të zbatojnë këtë sanksion ndaj ndërmarrjeve që nuk paguajnë detyrimet, siç mund të jenë pagesat e energjisë elektrike.

Afatet dhe kushtet për pagesat

Udhëzimi përcakton se bashkitë dhe komunat janë direkt përgjegjëse nëse ndërmarrjet publike ose sh.a.-të nuk paguajnë në kohë detyrimet. Por nëse këto ndërmarrje marrin fonde nga buxheti i shtetit, apo buxheti i bashkisë atëherë verifikohet arsyeja e mospagesës me urdhër të ministrit të Financave. Ky verifikim bëhet vetëm për çështjet që lidhen me interesat jetikë dhe bazë të komunitetit siç është furnizimi me ujë të pijshëm, pastrimi i mbeturinave, apo kanalizimet. “Pas kryerjes së verifikimit të mësipërm, ministri i Financave, me anë të një shkrese, i kërkon njësisë së qeverisjes vendore, marrjen e masave për zgjidhjen e problematikës së krijuar me ndërmarrjen publike ose sh.a.-të, në pronësi të saj, duke e vënë në dijeni të sanksioneve ligjore, të cilave do t’u nënshtrohet në rast të moszgjidhjes së problemit”, - thekson urdhri. Ato do të kenë afat vetëm 1 muaj, ose 30 ditë kalendarike për të zgjidhur problemin me pagesat, pas marrjes së shkresës. Për këtë çështje duhet të raportojnë pranë ministrit të Financave, në lidhje me masat dhe afatin kohor të zgjidhjes së problemit. “Në rastin kur njësia e qeverisjes vendore nuk respekton afatin kohor të raportimit, si dhe në rastin kur nuk e zgjidh problemin brenda afatit kohor të deklaruar, ministri i Financave, me anë të një shkrese të përbashkët të Drejtorisë së përgjithshme të Buxhetit dhe të Thesarit, urdhëron degën e thesarit, në juridiksionin e së cilës ndodhet njësia e qeverisjes vendore, të bllokojë të gjitha veprimet financiare të saj, me përjashtim të veprimeve që kanë të bëjnë me pagesën e shpenzimeve të personelit, si dhe ato për ushqimin dhe ngrohjen në kopshte, çerdhe, qendra sociale dhe shkolla”, - thekson udhëzimi.

Zhbllokimi i fondeve

Përgjegjësi i degës së thesarit vë në dije menjëherë ministrin e Financave për bllokimin. Duke bllokuar veprimtarinë ekonomike të njësive vendore shpresohet se mund të arrihet në një administrim më të mirë të fondeve dhe realizim të detyrimeve që bashkitë dhe komunat mund të kenë ndaj palëve të treta pa i rënë në qafë buxhetit të shtetit, siç ka ndodhur më herët me pagesat e parealizuara nga furnizuesit me energji elektrike, që tashmë është një kompani private. “Njësia e qeverisjes vendore do të qëndrojë e bllokuar deri në momentin e paraqitjes së urdhërpagesës së likuidimit të detyrimit, apo të një kontrate/marrëveshje të shlyerjes së detyrimit me këste, të firmosur nga kryetari i njësisë dhe autoriteti përgjegjës i institucionit ndaj të cilit ka lindur detyrimi”, - thekson udhëzimi. Vetëm në rast se paraqitet urdhërpagesa e kryer apo kontrata, përgjegjësi i degës së thesarit mund të zhbllokojë fondet dhe të njoftojë Ministrinë e Financave. Në rast se dorëzohet një kontratë për shlyerje me këste të detyrimit, dega e thesarit duhet të kontrollojë ose ndjekë në kohë likuidimit e këtyre kësteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›