Basha dhe Olldashi për PD/ Një ndeshje pa Berishë në mes
Të gjithë mendojnë se garën për kreun e PD-së do ta vendosë vetë Berisha. Kryeministri publikisht mohon. SMS-ja e tij sekrete për kryetarët e PD-së në rrethe. Dy portretet e kandidatëve, karriera e të cilëve ka ndjekur një rregull të çuditshëm: kanë shkelur të dy në të njëjtat rrugë. Diferencat, Basha erdhi direkt në pushtet dhe premton të bëjë opozitë nga të qenit në pushtet, Olldashi vjen nga opozita në qeverisje për të shkuar në opozitë
Nga Lorenc Vangjeli, JAVA
Një gur i hedhur në ujë bën rrathë koncentrikë. Që të prishësh rregullsinë e tyre, duhet të hedhësh një tjetër gur në ujë. Dhe që të prishësh rregullsinë e rrathëve të dytë, duhet hedhur një gur i tretë në të njëjtin vend. Kjo lojë fëmijësh është në thelb më shumë se në formë, ajo çfarë ka bërë në politikë Sali Berisha në gjithë këto dy dekada e kusur, kur ai e ka zotëruar politikën shqiptare me pasionin e një dashnori, me egërsinë e një mashkulli brutal, me dinakërinë e një ballkanasi dhe hilet qesharake të një kurorëshkelësi. Pikërisht ditën që shpalli dorëheqjen e tij nga Partia Demokratike, ai shpalli dhe garën për pasuesin e tij. Sipas modelit të gurëve në ujë. I pari dhe i pashmangshmi ishte pranimi i rezultatit të zgjedhjeve, i dyti, marrja mbi vete e çdo përgjegjësie për të amnistuar gjithë çfarë vinte më pas dhe i treti, guri më i rëndë, shmangia e debatit publik e partiak mbi disfatën e PD-së në zgjedhje dhe shpallja e një ndeshje të re, në fund të së cilës, ai do të thotë fjalën që i ka munguar në këtë verë me vetmi përvëluese: fitova, fituam! Në momentin që në PD do të mësohet emri i kryetarit të ri të saj, ai për së pari do të shqiptohet nga vetë Berisha. Kryetari i PD-së Junior, do të konsiderohet sërish si zgjedhje e tij. Dhe vetë Berisha do të thotë: Partia Demokratike dëshmoi dhe njëherë në këtë fitore të shkëlqyer të saj se në themel të vlerave të saj është demokracia dhe gara e ndershme. Konkurruan dy kandidatë të shkëlqyer, fituesi u shpall me një diferencë shumë të vogël votash, por unë jam i sigurt se ata do të punojnë shumë fort me njëri-tjetrin, do të bëjnë opozitën më të shkëlqyer që ka parë ndonjëherë ky vend dhe do të bëjnë të mundur rikthimin sa më shpejt të demokratëve në pushtet.
Deri sa të shterojë pritja për të dëgjuar këtë fjalim të Doktor Berishës, në Tiranë dhe nëpër Shqipëri do të ketë rrjedhur shumë ujë dhe gjërat do të kenë shkuar në rendin e tyre normal. Vendi do të ketë një qeveri të re, në krye të së cilës do të jetë njeriu i cili, për një kapriçio të fatit, është ndeshur me të dy kandidatët për kryetarë të PD-së. Edhe Lulzim Basha, edhe Sokol Olldashi e kanë provuar sfidën me Edi Ramën, në kohë, mënyra dhe rrethana të ndryshme. Tani, gara mes tyre është në thelb kërkesa për të sfiduar dhe njëherë tjetër Ramën, por në kohë tjetër, mënyrë e rrethana të tjera.
Dilemat e Berishës
Për shumëkënd nuk ka asnjë dyshim: rezultatin e garës për kreun e PD-së do ta përcaktojë vetë Sali Berisha. Por ky është një vështrim sipërfaqësor mbi atë që ka ndodhur, po ndodh dhe pritet të ndodhë në PD. Sepse kështu është vetëm në dukje. Në thelb ka dhe diçka tjetër që ose ka dalë jashtë dorës së Berishës, ose Berisha vetë ka kërkuar ti dalë jashtë dorës. Përveç deklarimeve publike për ekuidistancë të cilat kryeministri në ikje ka bërë për garën e kryetarit në ardhje të PD-së, ekuidistanca e tij paralajmërohet nga vetë dilemat e tij personale për zgjedhjen e pasardhësit. Në një SMS personale të Berishës, e cila gabimisht mbërriti dhe në një numër celulari në revistën JAVA, Berisha shkruan: Mesazh shumë i rëndësishëm: me këtë mesazh kërkoj nga ju, kryetarë të grupeve të punës dhe kryetarë të PD-së në rrethe, të kontribuoni për zgjedhjen e liderit të ri të PD-së. Kjo nënkupton se asnjë nga ne (dhe unë kam dhënë vetë shembull), nuk mundet që publikisht ose jo publikisht, të mbështesë kandidatë në garë. Ju dhe unë dhe çdo njëri nga ne, ka vetëm votën e tij. Cilido që dëshiron të mbështesë një kandidat të caktuar ose të kundërshtojë publikisht ose jo publikisht një tjetër, mund ta bëjë këtë vetëm mbasi të ketë paraqitur dorëheqjen e tij nga çdo funksion i PD-së dhe jo duke përdorur pushtetin e tij. Tani pushtetin për të zgjedhur liderin e ri e kanë vetëm e vetëm anëtarët e PD-së. Përshëndetje, kryeministri Sali Berisha. Ky është mesazhi që ka mbërritur në dhjetëra adresa celulari. E ka seriozisht Doktori? Duke njohur historinë e tij politike në të cilën ai vetë nuk i ka lënë asnjë hapësirë të mundshme rastësisë, domethënë votës ose ka reduktuar sa ka mundur çdo hapësirë për rastësinë dhe votën, kjo gjë vlen të dyshohet. Por duke pasur parasysh rrethanat, dyshimi në sinqeritetin e Doktorit kësaj here ka arsye të vihet në dyshim. Për shkak të rrethanave. Për shkak të vetë kandidatëve që janë përfshirë në garë, Basha dhe Olldashi.
Atvrasës dhe birvrasës
Ndërmjet PD-së dhe PS-së shpesh janë verifikuar simetri të përmbysura. Që do të thotë, e bardha e njërës anë është shoqëruar nga e zeza e anës tjetër. Tek PS një gjë e tillë ka ndodhur me Atvrasjen që Nano fillimisht i bëri Ramiz Alisë, mentorit të tij politik, pastaj vetë Nano u ekzekutua nga biri i tij Majko e më pas, edhe nga djali tjetër i tij kapriçioz, Meta. I fundit që i dha goditjen përfundimtare ishte Rama, për aq kohë sa marrëdhënia e tyre e ndërlikuar dashuri-urrejtje mund të quhet dhe marrëdhënie mes Atit dhe Birit.
Tek PD kjo situatë është kokëpërmbysur. Simetrinë me PS-në e verifikon edhe marrëdhënia e Berishës me ish-presidentin Alia. Vetë Berisha, i dërguar në dhjetor 90, nga Ramiz Alia tek studentët protestues, në një kuptim, realisht duhet tja atribuonte ish-presidentit hyrjen e tij të vrullshme në politikë. Duke mos e pranuar këtë fakt, por pikërisht për ta rrëzuar këtë të vërtetë, Berisha u soll me Alinë si biri vrasës me të atin e zgjedhur për tu vrarë. Vetë Alia nuk e pohoi kurrë plotësisht dhe publikisht rolin e tij në futjen e Berishës në politikë, por e vërtetë është se Berisha u hakmorr egër ndaj tij. Deri me burgosje. Tani rolet kanë ndryshuar. Tani është bërë Berisha At dhe në garë janë dy bij të tij politikë, dy krijesa të tijat: Basha dhe Olldashi. Dhe pikërisht tani, Berisha ka dilemën, kë duhet të vrasë që ti hapë rrugën tjetrit. Ndaj dilema e Doktorit më së shumti është morale. Por po kaq është dhe matematike, personale dhe politike. Duke parallogaritur shanset, avantazhet dhe disavantazhet e të dy kandidaturave, ai kërkon të sill