Rama në Vlorë: Pas dy muajsh përballemi me rrënimin. Do nisë një periudhë e vështirë dhe e pagjumë
Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, foli në një tubim të organizuar në Vlorë, qytetin që i dha mandatin e parë të deputetit atij.
Kryetari i PS tha se pas dy muajsh ata do përballen me realitetin e rrënimit.
Pas dy muajsh ne do të përballemi me një realitet të rrënueshëm në të gjithë Shqipërinë. Fitorja e 23 qershorit ka një kuptim të qartë. Njerëzit nuk votuan për të hequr disa dhe për të rivendosur disa të tjerë, por për të rindërtuar jetën shoqërore të vendit. Njerëzit bënë një revolucion të heshtur me votë, tha Rama.
Nën petkun e kryeministrit të ardhshëm Rama nënvizoi se nëse në mandatin e ri socialistët nuk punojnë siç duhet, atëherë rrezikojnë të ndëshkohen. Sipas Ramës qeverisja e demokratëve i ka bërë atyre një libër me gabime, nga i cili duhet të nxjerrin mësime për të mos përsëritur gabimet e kundërshtarit.
Kundërshtari ynë na ka bërë një dhuratë shumë të çmuar, na ka lënë në tavolinë një libër të trashë të mbushur me gabimet e tij. Dhe ne duhet ta lexojmë për të parë gabimet e tij, dhe ne do punojmë për të realizuar angazhimet tona për vendin dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Ne do të punojmë për Vlorën, qytetin e themeleve të vendit, për ta kthyer në një nga portat më të bukura të Mesdheut, tha Rama.
Fjalën e tij Rama e mbylli duke thënë se për ta fillon një periudhë e vështirë, e gjatë dhe e pagjumë.
Në podium gjatë këtij aktiviteti u ngjit edhe kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili falënderoi qytetarët vlonjatë për mbështetjen e që i dhanë Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit.
Në fjalën e tij, Gjika tha se PS dhe Rama do të rilindin Shqipërinë.
Ndërsa shprehu respekt për të gjithë ata që zgjodhën Vlorën dhe Ramën.
Në këto zgjedhje e majta në qarkun e Vlorës mori 6 mandate deputetësh. Janë pikërisht Edi Rama, Valentina Leskaj, Koço Kokëdhima, Luiza Xhuvani, Fatmir Toçi si dhe Andrea Marto./ep