E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fituesit për në universitet shpallen në dy raunde

Ministria e Arsimit bën dije se fituesit e parë, sipas kuotave të miratuara nga qeveria, do të shpallen nëpërmjet pikëve të grumbulluara nga matura dhe përzgjedhjes së degëve të listuara në formularin A-2.

Praktikat e viteve të kaluara kanë treguar se për shkak të largimit të shumë kandidatëve për studime jashtë vendit, pas mbylljes së regjistrimeve të fituesve në raundin e parë mbetet një numër i lartë kuotash të parealizuara.

Këto vende bosh do të vihen sërish në dispozicion të maturantëve që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi, duke riçelur garën e pranimeve me anë të formularit A-3. Sikundër ka ndodhur edhe gjatë vitit të shkuar, plotësimi i formularit A-3 do të lejohet edhe për maturantët mbetës në një nga provimet e maturës, por me kushtin që këta maturantë në datat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit për sezonin e vjeshtës do të duhet të vlerësohen me nota kaluese. Vetëm më pas do të përfshihen në garën e përzgjedhjes së degëve që do të përmbajë formulari A-3.

Në këtë fazë do të regjistrohen në shkollën e lartë të gjithë ata të rinj që nuk kanë fituar në fazën e mëparshme, por me një dallim vetëm në programet ku kanë mbetur kuota bosh. Autoritetet e arsimit ende nuk bëjnë të ditur datën se kur ky formular do të fillojë të plotësohet apo dhe ndryshimet që ai mund të ketë këtë vit, por e sigurt është që ai do të bëhet publik menjëherë pas shpalljes së fituesve të parë.

Vendimi i qeverisë përcakton se këtë vit në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë do të regjistrohen si fitues rreth 27 mijë e 647 të rinj. /Start/

                                                                                             2012-08-09 17:24
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›