Basha hap siparin e festave te fundvitit ne kryeqytet

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, së bashku me bashkëshorten e tij Aurela dhe vajzën Dafina i janë bashkuar dhjetëra fëmijëve të kryeqytetit, në ceremoninë e ndezjes së pemës së Vitit të Ri. Për të dytin vit radhazi, Kreu i Bashkisë ka përzgjedhur ndezjen e pemës, si shenjë simbolike të nisjes së festimeve në qytetin e Tiranës, e cila këtë vit ka pemën më të lartë të vendosur ndonjëherë, 22 metra.
“Ndezja e pemës së Vitit të Ri sjell gëzim në çdo familje, ndaj ne vendosëm që këtë vit, që është një vit i veçantë për qytetin tonë dhe për të gjithë shqiptarët, është 100 vjetori i Pavarësisë të vendit, t’i dhurojmë familjes sonë të madhe, Tiranës, pemën më të madhe që ka qëndruar ndonjëherë këtu, 22 metra. Ndezja e dritave të pemës sjell gëzim dhe po kështu sjell shpresë dhe besim në të gjithë familjet, për një vit të ri më të mirë se ky që po lemë pas.
Përveç përpjekjeve tona të përditshme, për të përmirësuar jetën e banorëve të Tiranës, duam që këtë sezon festash, t’u ofrojmë qytetarëve të Tiranës, të vegjël, të mëdhenj apo të moshuar anembanë qytetit, një atmosferë sa më festive, ndaj edhe dekorimet këtë vit janë të shpërndara anembanë qytetit. Përveç bredhave të vendosur në qendër të Tiranës, kemi dhe 5 të tjerë që vendosen në pjesë të ndryshme të qytetit. Përveç dekorit, qytetarëve të të gjithë grupmoshave e veçanërisht fëmijëve do u ofrohen edhe shumë e shumë aktivitete” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.