E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Hoxhaj u takua me homologët nga Çekia dhe Lituania

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Nju Jork u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg.

Ministri Hoxhaj ka falënderuar Ministrin Schwarzenberg për mbështetjen e madhe që Çekia ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat.

“Shtetndërtimi në Kosovë është një storie e suksesit e Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj dhe miqve tanë evropianë”, tha ai, duke shtuar se pas largimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, agjenda e vetme e Kosovës është integrimi evropian.

Hoxhaj ka kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme të Çekisë në proceset eurointegruese, duke e vlerësuar shumë të rëndësishme për Kosovën mbështetjen e Pragës, që nga heqja e vizave për qytetarët e Kosovës deri te studimi i fizibilitetit për marrëveshjen e asocim-stabilizimit.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg, ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e mëtutjeshme të Çekisë për Kosovën, me theks të veçantë në proceset shtetndërtuese dhe rrugën eurointegruese.

Ministri Enver Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Audronius Ažubalis.

Pasi e ka njoftuar homologun nga Lituania për zhvillimet në Kosovë, Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të këtij shteti për agjendën evropiane të Kosovës.

Në anën tjetër, Ministri Ažubalis ka theksuar se pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës është krejtësisht e pavarur për zhvillimin e mëtutjeshëm të shtetit.

Ažubalis ka inkurajuar Ministrin Hoxhaj për vazhdimin e reformave në zhvillim e sipër, të cilat, sipas tij, do të konsolidojnë pavarësinë e Kosovës dhe do të hapin rrugën për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›