Basha kërcënon me tatimorët e vet gazetën Shqiptarja.com. Ka vetëm 9 muaj që botohet
Redaksia e gazetës Shqiptarja.com ka reaguar ndaj një njoftimi të Bashkisë së Tiranës, e cila i ka kërkuar gazetës nisjen e procedurës për hetim tatimor lidhur me pagesat fiskale vendore. Gazeta i referohet një shkrese të Drejtoreshës së përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë së Tiranës, Andia Pustina, e cila ka vënë në dijeni fillimin e kontrollit tatimor nga pushteti vendor i kryeqytetit ndaj një tjetër media kritike.
Vështirë se mund të gjendet një justifikim i arsyetimit për ndërmarrjen e këtij kontrolli, në një kohë kur gazeta ka filluar aktivitetin e vet në nëntor të vitit të kaluar dhe ende nuk ka mbushur një vit, ndërkohë që Berisha flet për një sistem tatimor që mbështetet mbi vetëdeklarimin. Po të qëndrojmë gjithnjë në kërkesat e këtij ligji, Neni 80, pika 4 përcakton se “Zgjedhja e tatimpaguesve, që kontrollohen, bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut, të kryer nga administrata tatimore, për të identifikuar tatimpaguesin, i cili ka më shumë rrezik për ta shkelur legjislacionin tatimor”.
Kjo është një pikë, që duket se administrata tatimore në Shqipëri nuk e merr kurrë për bazë, pasi në shumicën e rasteve kontrollohet bëhen jo tek ata që dyshohen për evazion më të lartë, por me qëllime të tjera. Shumëkush e di se në vendin tonë ka subjekte evazorë që i detyrohen shtetit dhjetëra miliona euro dhe ky borxh rritet nga dita në ditë, por mjafton lidhja e kapove të tyre me njerëzit pranë Berishës apo Bodes, që të shmanget çdo lloj kontrolli apo të griset çdo lloj procesverbali ndëshkues.
Një subjekt me një CV kaq të shkurtër në kohë, që punëson një numër të kufizuar punonjësish, që ende nuk realizon fitim, zor se duhet të hyjë në objektivat e kontrollit tatimor të Bashkisë. Administrata tatimore kontrollon saktësinë e të gjitha dokumenteve, që kanë të bëjnë me statusin ligjor, rezidencën, veprimtarinë ekonomike, pagesat dhe detyrimet tatimore, si dhe çdo dokument tjetër me rëndësi për përcaktimin e detyrimit tatimor. Por, në Tiranë ajo ka shumë subjekte për të kontrolluar, sa që vendosja e përparësisë tek një gazetë e porsahapur, të le të kuptosh se fjala është për një kërcënim financiar nga ana e Bashës, sikurse ka ndodhur në të kaluar me mbylljen e gazetës “Tema” apo vendosjen e gjobave stratosferike ndaj Top Channel-it.