Edi Rama: Reforma, garanci për qytetarët se vota nuk do preket. Asgjë nuk e ndal fitoren tonë
(E PERDITESUAR)- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vlerësuar arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore, ndërsa ka shtuar se tashmë opozita ndodhet në një proces me një sërë garancish të reja, të cilat do të pengojnë mospërsëritjen e historisë së vjedhjes së votave.
Çdo reformë zgjedhore është objekt debati dhe kundërshtish. Ajo që ne na duhet është që të garantojmë një sërë aspektesh, që deri dje kanë qenë aspekte të errëta të procesit zgjedhor. Besoj se jemi në një proces ku do të kemi një sërë garancish të reja, të cilat jo vetëm që nuk janë pak, por përbëjnë një bazë shumë të mirë për tu thënë qytetarëve se tanimë ajo çka ka ndodhur nuk do të përsëritet dhe se zgjedhjet e vitit 2013 do ti fitojmë, pasi vota juaj nuk do të preket. Procesi do të jetë i hapur dhe transparent, në raport me një të shkuar ku komisionerët shpesh herë kanë bërë çfarë kanë dashur për arsye korruptive; ku kutitë nuk kanë qenë të hapshme për arsye të fshehjes së provave të manipulimit nga ana e pushtetit; ku KQZ-ja është kthyer në një thertore elektorale dhe ku me listat është bërë një mish mash i neveritshëm që ka kondicionuar procesin zgjedhor. Adresimi i të gjitha këtyre aspekteve dhe një sërë aspektesh të tjera besoj se përbën një argument të fortë për ne që ti drejtohemi qytetarëve me optimizëm dhe tu themi se tanimë përpara nesh është rruga e fitores. Asnjë forcë, e cila deri dje ka arritur të imponohet në mungesë të transparencës dhe me mekanizma korruptiv, nuk do të mundë të na ndalë dhe fitorja do të jetë e jona në vitin 2013, tha Rama.
Kryetari i PS i bëri komentet ndërsa merrte pjesë në takimin e Komitetit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore me temë Demokracia, ekonomia, shoqëria dhe e ardhmja europiane.
Kryetari Rama është bashkëdrejtues i këtij Komiteti të Internacionales Socialiste. Gjatë qëndrimit në Selanik Rama ka pasur takime të veçanta me liderë të së majtës europiane. Pas zhvillimit të punimeve të Komitetit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore, Rama u shpreh se në qendër të diskutimeve ishin vlerat dhe parimet që duhet të mishërojë e majta e këtij shekulli. Një tjetër temë ku u fokusua komiteti ishte dhe domosdoshmëria e transparencës në proceset demokratike të vendeve të rajonit.
Komiteti i Internacionales për Europën Juglindore përbëhet nga liderët e partive socialiste dhe social demokrate të Ballkanit. Sot u mblodh për të diskutuar lidhur me sfidat që kanë të bëjnë me ekonominë, që kanë të bëjnë me shoqërinë, që kanë të bëjnë me demokracinë në rajon dhe që kanë të bëjnë në tërësi me atë çka duhet të mishërojë e majta e këtij shekulli, në një kohë krizash. Nga ana tjetër në një kohë dyshimesh të rënda mbi proceset demokratike për shkak të një të djathte gjithnjë e më të rigjidizuar, gjithnjë e më të ashpërsuar, gjithnjë e më të lidhur drejtpërdrejtë vetëm me interesin e pushtetit. Diskutimet u fokusuan tek domosdoshmëria e transparencës në procesin demokratik, domosdoshmëria e një politike të re ekonomike dhe financiare, domosdoshmëria e një jete institucionale të bazuar mbi Kushtetutën dhe rregullat e demokracisë funksionale, tha Rama.