Gratë, letër Kuvendit: Kodi i ri na lë jashtë politikës
Pas partive të vogla, pakënaqësi për ndryshimet në kodin zgjedhor kanë shfaqur edhe gratë. Me anë të një letre të hapur, Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, shpreh shqetësimin për diskriminimin e grave dhe vajzave në politikë.
“Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, po ndjek me shqetësim punimet dhe rezultat e Komisionit të Reformës Zgjedhore, lidhur me kuotën gjinore në Kodin e ri zgjedhor. Ne kemi përshëndetur të gjitha arritjet që Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka pasur në muajt e fundit, por nuk mund të rrimë pa përmendur me keqardhje zhgënjimin tonë teksa shohim se po i njëjti Komision po diskriminon haptazi politikisht gratë dhe vajzat në Shqipëri.
Në ditët e ardhshme përpara jush do të paraqitet projekt-Kodi Zgjedhor, i cili nuk arriti të bëj pjesë integrale të tij dhe të garantojë, të drejtën e grave dhe vajzave për të qenë kandidate të barabarta në zgjedhje, njësoj si edhe burrat. Për më tepër Kodi ka tendenca që t`i diskriminojë në mënyrë të hapur gratë dhe vajzat, për shkak se nuk iu garanton atyre të drejtën për të qenë kandidate të barabarta në zgjedhjet parlamentare dhe lokale.
Sipas të dhënave që ne kemi siguruar, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore deri tani ka vendosur që të bëjë vetëm dy ndryshime në projekt-Kodin Zgjedhor, të cilat në parim, në vend që të forcojnë zbatimin e kuotës gjinore, të përcaktuar në Kodin aktual, minojnë edhe ato pak arritje që gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë gëzuar pas zgjedhjeve të vitit 2009.
Sa për dijeni, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në botë në lidhje me përfaqësimin e grave në drejtimin e Bashkive/Komunave, ku thuajse 98% e të gjithë drejtuesve janë burra dhe vetëm 2% janë gra. Në të njëjtën kohë, në Kuvendin aktual vetëm 16% e deputetëve janë gra, ndërkohë që 84% janë burra, gjë që e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për pjesëmarrjen e grave në politikën lokale dhe kombëtare.
Pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme, Komisioni i Reformës Zgjedhore jo vetëm që nuk i ka marr në konsideratë këto kërkesa të prezantuara përpara tij në një seancë dëgjimore në muajin Shkurt 2012, por në mënyrë të vazhdueshme ka refuzuar të na presë në një seancë tjetër dialogu dhe për më tepër nuk i është përgjigjur letrave dhe interesit tonë për tu informuar lidhur me hapat që ai ndërmerr për ndryshimet në Kod për kuotën gjinore, thuhet në letrën e dërguar deputetëve të Kuvendit.