E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha lobon në SHBA për projektet e Tiranës

 Në këtë takim është diskutuar për mundësinë dhe mënyrat e mbështetjes financiare të investitorëve amerikanë, të cilët duan të shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.

 “Exim Bank” dhe “OPIC”, (Korporata e Investimeve Private Amerikane), jashtë vendit janë konsideruar si dy mekanizma të kësaj mbështetje.  Zoti Basha ka bërë një prezantim të projekteve dhe vizionit të tij, për një Tiranë të zhvilluar të shekullit të 21. Në mënyrë të veçantë, zoti Basha u ndal tek projektet strategjike, të cilat mund të zbatohen nga kompani amerikane, të cilat kanë shprehur tashmë interes siç është ndërtimi i linjave të tramit, zgjatimi i bulevardit, ndërtimi i terminalit etj.

Po kështu, zoti Basha theksoi angazhimin e tij, për ta bërë Tiranën një qytet atraktiv dhe miqësor për investimet e huaja. Zëvendës/ndihmës Sekretari  i Departamentit Amerikan të Tregtisë për Evropën dhe Euro-Azinë Jau Burgess vlerësoi arritjet e Shqipërisë, veçanërisht në këto kohë te vështira për ekonomitë e zhvilluara botërore. Në mënyrë të veçantë, zoti Burgess nënvizoi faktin, se Shqipëria renditet ndër të vetmet vende që vazhdon të ketë rritje ekonomike.

”Asnjë vend, sipas Burgess, nuk ka ecur kaq shpejt në një kohë kaq të shkurtër, sa Shqipëria”. Ai garantoi Bashën se do të shikojë me kujdes të gjitha mundësitë, për të mbështetur dhe nxitur kompanitë amerikane të investojnë në Shqipëri, ndërsa nënvizoi se  investimet amerikane në Shqipëri janë histori suksesi dhe motivim për kompani të tjera, për të investuar në Shqipëri e veçanërisht në Tiranë. Gjithashtu, Basha zhvilloi një takim edhe me Zv.presidenten ekzekutive të Korporatë së Investimeve Private Amerikane jashtë vendit, OPIC, Mimi Alemayehou.

Themeluar si një Agjenci e Qeverisë së SHBA-ve në vitin 1971, OPIC mbështet kompanitë amerikane, në më shumë se 150 vende të botës. Zonja Alemayehou  u shpreh e gatshme për të asistuar kompanitë amerikane që duan të investojnë në Shqipëri. Deri tani nuk ka patur ndonjë projekt me Shqipërinë, por shprehu gadishmërinë e OPIC, për të shqyrtuar mundësitë e angazhimit dhe mbështetjes, në zbatimin e projekteve të rëndësishme, për jetën e një qyteti, të parashtruara nga Basha.

Në këtë takim u ra dakord për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës, për të  garantuar mbështetjen financiare të kompanive amerikane, të interesuara për tu bërë pjesë e realizimit të projekteve strategjike të Bashkisë së Tiranës.  Ndërkohë, Basha zhvilloi një takim me biznesmenë amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i  Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff. 

Basha bëri të ditur se zhvillimi ekonomik, punësimi  përmirësimi i cilësisë së jetës janë shtyllat mbi të cilat bazohet programi i tij, i cili nuk mund të realizohet pa  dëgjimin e  zërit të qytetarëve. Zoti Basha bëri të ditur se kontakti me qytetarin i drejtpërdrejtë, përmes letrave apo maileve është i përditshëm. Hartimi i buxhetit u bë në konsultim me rreth 7 mijë qytetarë e po kështu, duke nisur nga data 10 shkurt do të nisë konsultimi fillimisht me grupet e interesit, për planin urbanistik.

“Të gjithë ne që jemi këtu kemi përgjegjësi për të bërë dy gjëra, së pari për të asistuar në situatë makro, për të gjitha çështjet e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së por edhe për situata të tjera që kanë të bëjnë me biznesin, për të ndihmuar sa më shumë Shqipërinë dhe njerëzit atje. Sot është natë interesante sepse të gjitha këto segmente janë në zbatim dhe misioni i Bashës është në një linjë, me atë që ka edhe Fondi dhe është linja e duhur për të ndihmuar Shqipërinë. Ka shumë për të bërë në vitet në vijim, por është një fillim i mbarë”, tha Granoff. /Start/

                                                                                             2012-02-03 13:37
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›