E Diel, 1 Nëntor 2026

Falimenton kompania ajrore hungareze “Malev”

“Në Orën 05:00… pas 66 vitesh operacione të vazhdueshme ‘Malev’ nuk do të fluturojë më”, tha kompania në një komunikatë. Ky hap u ndërmor pasi Komisioni Evropian urdhëroi “Malev”-in të shlyejë format e ndryshme të ndihmave shtetërore të marra nga vitit 2007 në vitin 2010. Shuma që i kërkohej të paguante arrinte në 171 milionë dollarë, shumë kjo e barabartë me të ardhurat vjetore për të gjithë vitin 2010.

“Pavarësisht interesave më të mira, pronarët nuk mund të sigurojnë më burme financiare për operimin e kompanisë ajrore pas vendimit të Komisionit Evropian”, thuhet në komunikatën e kompanisë. Kjo kompani ka 2 600 punonjës dhe është përgjegjëse për pothuajse gjysmën e trafikut ajror në aeroportin “Liszt Ferenc” të Bugapestit.

Pjesë e “Oneworld airline alliance”, e cila përfshin gjithashtu “American Airlines” dhe “British Airways”, “Malev” ka 22 avionë pasagjerësh. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha për radion shtetërore se dy avionë të “Malev”-it ishin ende jashtë shtetit, një në Izrael dhe një në Republikën e Irlandës. Ai tha se nëse “ne arrijmë të dalim nga skema e trashëguar”, “Malev” mund të rinisë fluturimet në të ardhmen.

“Malev” është kompani tepër e njohur edhe në Shqipëri, pasi nëpërmjet Budapestit ka lidhur Tiranën me destinacione te tjera evropiane në mënyrë të përditshme.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2012-02-03 10:23
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›