Basha mes fëmijëve të Llupos dhe Ziverit
Në listën e familjarëve që po ndihmohen për të blerë shtëpi me kredi të buta nga Bashkia rezulton dhe familja e Agim Llupos, oficerit të gardës, të cilit i është provuar vrasja e Ziver Veizit dhe është nën dyshim për vrasjen e Hekuran Dedës. Përtej fatit të keq të tij për të qenë një i dënuar për vrasje, dy fëmijët e tij kanë jetën e tyre dhe Lulëzim Basha është njeriu që po mendon për ta. Për ti qetësuar për mungesën e babait në shtëpi, për ti qetësuar nga opinioni publik, që e shikon atë si një njeri të përdorur për vrasje politike, për ti qetësuar bile dhe për kohën e pakët që mund të dënohet, ai është kujdesur që në detyrën e re që rrëmbeu, pasi la pas katër të vrarë më 21 Janar, të kujdeset për familjen e njeriut që përdori për të bërë krimin shtetëror. Nuk jam i sigurt nëse Agim Llupo ka ose jo nevojë për shtëpi, por sidoqoftë gjesti i Bashës nuk ka të bëjë aq shumë me hallin e familjes Llupo se sa me hallin e tij. Dhe halli i Lulëzim Bashës është që familja e Llupos të mos ndihet e përdorur dhe e braktisur, por ta kuptojë se njeriu që e ka përdorur familjarin e tyre për të vrarë, është duke kryer detyrimet e veta ndaj asaj familje.
Gjithsesi Agim Llupo do të dalë një ditë nga burgu, do të kthehet në shtëpinë e re që mund të blejë me lekët e ofruara nga Basha dhe fëmijët do të qetësohen përfundimisht.
Por në të njëjtën zonë për nga origjina, në Myzeqe, aty nga ku ka origjinën dhe vendlindjen Agim Llupo, jetojnë dhe dy fëmijët e Ziver Veizit, Ana që vazhdon të pyesë pse ma vranë babin me duar në xhepa, dhe vëllai i saj. Ata jetojnë shumë keq. Në shtëpinë e nënës së tyre në një fshat të Myzeqesë ata kanë në dispozicion një dhomë të keqmobiluar dhe shkojnë në një shkollë ku drejtori bën kujdes ti trajtojë si fëmijë të deklasuar. Ata dy jetimë, pa asnjë perspektivë të qartë për jetën e tyre, nuk do ta shikojnë kurrë më babin e tyre. Për herë të fundit ata e panë atë live në televizor me duar në xhepa para dyerve të kryeministrisë dhe flakën e armës së Agim Llupos që e këputi në mes, pasi dy burracakë në katin e dytë të ndërtesës, Lulëzim Basha dhe Sali Berisha, e urdhëruan të qëllonte mbi qytetarët.
Lulëzim Basha duket se e përjeton 21 Janarin si një krim të vetin që përpiqet të fshehë. Nëse ai nuk do ishte përfshirë në urdhrin për të vrarë dhe në fshehjen e provave, nëse ai do të ishte një ministër i përdorur nga çmenduria e pushtetit që kap Sali Berishën, ai duhet të kishte futur në atë listë, bile jo me kredi, por me grant nga Bashkia, dy jetimët e Ziver Veizit, që ai personalisht, Sali Berisha dhe pastaj Agim Llupo u kanë borxh jetën e babait të tyre. Por Lulëzim Basha nuk është njeri i lirë në këtë histori. Ai jo vetëm që është pjesë gjakftohtë e krimit të 21 Janarit, por është duke vazhduar të veprojë për mbulimin e gjurmëve të krimit dhe për të ruajtur një pakt heshtjeje me njeriun që përdori për vrasje. Duket se diçka më e rëndë se sa thjesht vrasja ka ndodhur më 21 Janar. Duket që pas vrasjes Sali Berisha dhe Lulëzim Basha kanë diskutuar dhe vendosur me qetësi dhe si do shpërblejnë njerëzit e përdorur për vrasje për të heshtur gjithë jetën. Heshtja e Agim Llupos, dhe sidomos pranimi prej tij se ka qëlluar me dy armë, tregon se ai ka marrë siguri për të heshtur. Po ashtu gjesti i pashembullt i mosdorëzimit të Komandantit të Gardës me ekspertizë të provuar që ka vrarë së paku një qytetar dhe i dyshuar për të dytin, është pjesë e paktit për të mbrojtur me çdo kusht njerëzit që kanë përdorur në atë krim shtetëror. Përpjekja për të blerë heshtjen e vrasësve pasoi përpjekjen për të blerë heshtjen e viktimave. Në gjykatën e Tiranës po ballafaqohen vëllezërit e Hekuran Dedës, një tjetër të vrari për të cilin është i dyshuar Agim Llupo, me badigardin e familjes së Sali Berishës, i cili u ka ofruar para dhe pushtet, bile dhe kokën e Llupos, boll që të pranonin në shtëpi Sali Berishën. Por duket se dështuan me heshtjen e viktimave dhe po përpiqen të blejnë heshtjen e atyre që përdorën për të vrarë.
Vitet do të ikin dhe fëmijët e Agim Llupos, vajzat e Lulëzim Bashës dhe fëmijët e Ziver Veizit mund të jetojnë së bashku në Tiranë, pa pasur faj çkanë bërë prindërit e tyre. Mund të ndodhë që dhe të njihen dhe ti tregojnë njëri- tjetrit ku i kanë shtëpitë. Vajzat e Lulëzim Bashës do tu tregojnë se kanë disa shtëpi në Hollandë me lekë që bëri babi kur ishte në pushtet, fëmijët e Llupos mund të tregojnë që kanë një shtëpi me lekët që bëri babi me vrasjet në Bulevard, kurse Ana, vajza e Ziverit, mund të tregojë vetëm foton e saj me lot duke qarë në një dhomë të varfër në Myzeqe, për babin që ia vranë prindërit e moshatarëve të saj. Dhe kjo histori ska për ta lënë kurrë të qetë këtë vend, pasi heshtja për një krim mund të blihet me lek, por kujtesa për krimin nuk fshihet as me lek dhe as me pushtet. Lulëzim Basha është njeriu që fëmijëve të Agim Llupos u ka dhënë një shtëpi për të heshtur babi i tyre, kurse babin e Anës e bëri të heshtë duke i dhënë dy metër katror varr. Është mirë ti ngelet në mendje kjo e dyta.
