Vështrim rreth librit të Xhafer Sadikut “Genocidi mbi kulakët”
Pak kohë më parë u vu në përdorim të publikut shqiptar libri “Genocidi mbi Kulakët. Në Shqipërinë komuniste 1948 - 1990”, me autor z. Xhafer Sadiku. Është një libër i veçantë, mbase ndër të rrallët në Shqipëri, që merret me studimin e historisë së politikës dhe luftës ndaj kulakëve në periudhën e diktaturës komuniste, duke e trajtuar me syrin realist. Në titull shkruhet fillimi i gjenocidit më 1948, por çmenduria e luftës ndaj kësaj shtrese të fshatarësisë shqiptare e ka zanafillën që gjatë luftës civile, të quajtur Nacinal Çlirimtare, e për të vazhduar gjatë tërë sundimit komunist, deri në shembjen e tij në vitin 1990.
Pa hyrë në shtjellimin e përmbajtjes dhe vlerave të tij, duhet thënë se, autori ka bërë një punë mjaft voluminoze për të gjetur, shfletuar, studiuar dhe zgjedhur një sasi mjaft të madhe dokumentesh të nxjerra nga arkivat dhe literatura e botuar gjatë viteve. Mbase justifikohet me karakterin thellësisht historik të librit, që e vërteta të dalë e të njihet vetëm nëpërmjet dokumenteve. Është interesante ideja e autorit, për të na e sjellë këtë periudhë të zezë të historisë 45 vjeçare, vetëm nëpërmjet shkrimeve të cituar, duke qenë shumë i kursyer në komente edhe përgjithësime. Bile duhet thënë se është meritë e tij, që merret shumë pak me analizën, duke i lënë lexuesit mundësinë dhe të drejtën të gjykojë mbi faktet e shumta, të nxjerrë të vërtetën e hidhur dhe përfundimet e duhura mbi atë që me të drejtë e quan Gjenocidi mbi kulakët.
Në faqet e para të librit, lexuesi njihet me tabelën e lëndës, ku renditen kapitujt dhe nën-ndarjet sipas temave dhe kronologjisë që ka ndjekur procesi i luftës së klasave dhe “Gjenocidi mbi kulakët”. Titujt janë gjetur mirë: “Në fillimet e sundimit komunist”, “Kongresi i parë i PKSH dhe politika e përçarjes”, duke vazhduar me nën/titujt: “Tatimet e Kulakëve”, “Lufta politike kundër kulakëve”, “Shkatërrimi i elitës”, “Nën shpatën e drejtësisë popullore”, etj, etj. Mjafton t’i lexosh dhe do të ndjesh frymën e urrejtjes dhe egërsinë e diskutimeve në organet më të larta qeveritare, ku nuk mungon edhe zëri i “Komandantit”. Aty do të gjesh të shkruar përmbajtjen, orientime dhe këshilla nga më të habitshmet, që të ngjallin neveri për ligësinë e mendjes dhe të shpirtit të drejtuesve të shtetit e të vendit. Ligësi që të trazon së brendshmi e të fut në mendime. Mes të tjerave, autori pyet veten por edhe të tjerët: “Luftë klasash! Po ku janë klasat”? Lexuesi, duke u futur në citimin e dokumenteve të shumtë, e gjen përgjigjen: klasa nuk kishte. Ato u shpikën në mënyrë artificiale. Këtë e kupton cilido, që ka së paku arsimin 8-9 vjeçar, e jo më të tjerët. Vetë reformat që u ndërmorën, si reforma agrare, shtetëzimet, dhe më vonë kolektivizimi e hoqën mundësin e ekzistencës së klasave armike, por edhe të krijimit të tyre. E pranojmë se e lindën dhe e rritën pakënaqësinë, sepse u zbatuan me dhunë, por jo se u krijuan klasa. E ç’klasa mund të kishte, kur çdo familjeje si fillim iu dha 5 hektarë tokë, ose 50 dynym, e më vonë e gjithë toka dhe mjetet e punës i kaluan kooperativës, e në vazhdim deri tek shkurtimi i oborrit dhe heqja e bagëtive që u tufëzuan? Zor se e merr vesh njeri, se ku qëndronte diferenca klasore mes fshatarëve.
Çdo pyetje që t’i bëjë lexuesi vetes, përgjigjen do ta gjejë, kur ta mbarojë se lëçituri këtë libër të mrekullueshëm. Veç disa pyetje ngacmojnë në vetëdije për gjatë gjithë leximit, e më pas: Ku e kishte hallin sistemi dhe Komandanti, për veprime të tilla, që zor se i rrok mendja njerëzore? Vërtet marksizmi (teoria bazë e komunizmit) e kishte në themel luftën e klasave, po ç’klasa kishte te ne, kur një pjesë u eliminua fizikisht që gjatë luftës, dhe dallimet pasurore u sheshuan nga reformat që u zbatuan me dhunë të paimagjinueshme? Ç’djall i fryu në vesh, që futi përçarjen në popull, dhe frymën e urrejtjes sidomos mes fshatarëve, një zot e di? As pushtuesit e shumtë, që kanë shkelur vendin tonë, nuk e kanë guxuar të ndajnë popullin në “Të mirë dhe të liq”. Si u polli mendja këtyre pushtetarëve tanë, që të quajnë armiq dhe të trajtohen si të tillë, njerëz të thjeshtë dhe mijëra e mijëra familje. Ç’veprim antishqiptar e antishtet kishin bërë fshatarët e shkretë, që me aq mundim mezi plotësonin nevojat e familjes me bukë dhe shlyenin detyrime ndaj qeverisë? Pse duheshin internuar, gjykuar, dënuar e burgosur pa shkak pjesa më e madhe e tyre? Aq të vështira janë këto pyetje sa, zor se gjendet psikolog dhe shkencëtar historie që t’i japë një përgjigje të saktë e të plotë. Duhet thënë kjo, sepse duke lexuar faqe në faqe të librit, del hapur një pabesi djallëzore e organeve dhe strukturave të diktaturës ndaj fshatarësisë, e cila kishte qenë baza e luftës, siç e pohojnë me radhë të gjithë pushtetarët, që nga më i madhi e deri te më i vogli. Kështu u shpërblye mirënjohja ndaj familjeve fshatare, që i strehuan, i mbajtën me bukë, ushqime e veshmbathje, e për të vazhduar dhe me shtimin e radhëve me partizan të rinj. Ky mendim lid vetiu kur lexon se, kjo vulë, apo damkë e ndyrë, “kulak”, “armik i partisë dhe shtetit”, iu ngjit jo vetëm familjeve të quajtura të pasura, por edhe atyre të mbajtura si të mesme, shpesh here, për t’u çuditur edhe të varfra. E keqja s’paska patur fund: Kulakë u shpallën edhe familjet që kishin ndihmuar luftën, bile edhe kur pjesëtarë të tyre kishin qenë partizanë. Çfarë kishin bërë vallë, që ta meritonin veçimin, përbuzjen dhe trajtimin çnjerëzor e skllavërues të gjitha këto familje atdhetare, që janë shquar për qendrim patriotik gjatë gjithë historisë së kombit dhe shtetit shqiptar, mos themi edhe gjatë luftës N.Çl.
Libri është i bukur dhe tërheqës, sepse të lejon që, kur ta mbarosh së lexuari e të njihesh me hollësitë e të gjitha veprimeve në luftën ekonomike, politike, fizike dhe psikologjike ndaj kulakut, t’i japësh vetë përgjigje pyetjeve që të rëndojnë. Kjo është meritë e autorit, që të shtyn të mendosh mbi fakte e dokumente shtetërore arkivorë, reale e të prekshme, e jo thjesht mbi kujtime të thëna lart e poshtë, ku lind dyshimi për subjektivizëm. Se ç’kanë hequr kulaket dhe familjet e tyre veç ata e dinë. Të tjerët vetëm se mund ta imagjinojnë, por kurrë s’ mund t’ i afrohen atij realiteti të hidhur. Autori nuk merret me të, por me politikën që u ndoq, Pikërisht kjo radioskopi e politikës partiake e shtetërore mbi kulakët dhe luftën e klasave e bën librin të besueshëm dhe me vlera studimore, për të gjithë.
Një tjetër vlerë e librit dhe pa dyshim e autorit, është përzgjedhja e materialit për publikim, i cili është jo vetëm interesant dhe i larmishëm, por i pangjashëm me njëri – tjetrin, duke e bërë të këndshëm në të lexuar. Është fakt se ngjarjet janë të përafërta, pasi objekti “Kulaku” ishte i njëjtë, udhëzimet partiake dhe shtetërore ishin një për të gjithë, por zbatimi ishte i ndryshëm, jo vetëm nga gjuha e formuluar në letrat e shkruara, por edhe nga rrethanat, veprimet dhe kundra-veprimet, mosbindjet, pranimi i gabimeve e deri te dënimi i personave që thyenin vijën e partisë e të qeverisë, etj, etj.