E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çorba e prishur e Bernd Fischerit dhe historiografia

05-04-2012 / Gazeta 55

Nga adhurimi për Nexhmije Hoxhën te leksioni për demokracinë shqiptare

Opinioni shqiptar emrin e Bernd Fisherit (Bernd J. Fischer) e ka njohur nëpërmjet librave të tij për periudhën e Mbretit Zog, atë të Luftës së Dytë Botërore, si dhe të një libri tjetër mbi “diktatorët e Ballkanit”. Të ardhura në shqip në vite të vrullshme, në mes të një historiografie me probleme, librat e Fisherit më shumë u gjykuan nga kapaku sesa nga brendia e tyre. Duke përdorur sistemin e njohur “domino” të lëvdatave kot së koti, mbi emrin e Fisherit u ngrit një lloj kulti, sikur na paskësh zbritur studiuesi i madh në tokë dhe na shpëtoi nga të gjitha sikletet. Kategoria e njerëzve që nuk kanë "kohë" të lexojnë nëpër arkiva, kryesisht njerëz me informacion të vogël ose pa informacion fare, i kanë ngritur Fisherit një lloj kulti sikur ka bërë namin me "studimin" e tij të periudhës të Zogut dhe asaj të luftës. Natyrisht, nuk habitem fare, që njerëz që ngrenë kultin Fisher, as i kanë lexuar librat e tij.
Fisheri vjen herë pas here në Shqipëri. Tani jep edhe leksione historike, por edhe demokratike, me rastin e 100-vjetorit, bën krahasime historike, analogji, analiza politike, etj. Për të ardhur keq është që në qarqe që vetëquhen akademike, Fisheri ka zënë qoshen e pamerituar të studiuesit të zot. Pavarësisht se unë i takoj atyre njerëzve që gjithnjë kam besuar se historinë e Shqipërisë mund ta bëjnë vetëm shqiptarët, mjafton të jap një shembull të një të huaji që pothuaj nuk përmendet nga njeri. Ai quhet Robert Austin. Ka shkruar librin “Shtegu i pashkelur i Fan Nolit”, Tiranë 2001. Për këtë libër punoi në arkivat shqiptare për gati 3 vjet dhe nxori një vepër që, për mendimin tim, është profesionale dhe e mbështetur në burime historike. Ky njeri që i kushtoi jo pak kohë kësaj vepre, nuk propagandohet kurrë, ndonëse vepra e tij është ku e ku me librat e Fisherit.

Fisher, arkivat dhe librat e tij

Asnjë nga librat e Bernd Fisherit që lidhen me Shqipërinë nuk bazohet në arkivat shqiptare. Këtë e ka pohuar edhe vetë Fisheri në libra apo në deklarime të tjera. Megjithatë, kjo nuk i ka vlejtur fare “personaliteteve” nga Shqipëria, që kanë vite që nuk kanë parë gërma libri me sy, që të lëshojnë përcaktime të kota për “vlerat studimore të Fisherit”. Ndjenja e inferioritetit që shihet te shumë persona, ka të bëjë me faktin se mosdija i kthehet në një kompleks të llahtarshëm.
Për librin e parë, botuar në vitin 1984 për Mbretin Zog natyrisht nuk mund të fajësojmë Fisherin, pasi nuk kishte asnjë lloj mundësie të vinte në Shqipëri. Pasi te ne ra komunizmi, nuk u pa ndonjë përpjekje qoftë edhe formale e Fisherit për të studiuar historinë e Shqipërisë. Por në librin e dytë të tij kemi gjetur një përcaktim të tillë justifikues që duket sa i lehtë, aq edhe naiv. Vini re këto rreshta:
“Për më tepër, Enver Hoxha thotë se gjithçka ekzistonte në arkiva para vitit 1944, u shkatërrua në betejën e Tiranës, ndonëse ky është një ekzagjerim... E, megjithatë, kjo vepër nuk ka përfituar nga materialet arkivore shqiptare, ajo nuk mund të ketë pretendime për të qenë një punim përfundimtar mbi këtë temë” (“Shqipëria gjatë luftës 1939 – 1945”, Tiranë 1999, faqe 353).
Për të ardhur keq që një njeri që mëton se shkruan historinë e një vendi dhe deklaron se nuk ka ndër mend t’i shohë ato. Fisher është marrë me përrallat e Enver Hoxhës për “beteja të mëdha”. Aq më keq akoma ai niset nga libri i Enverit “Rreziku anglo – amerikan për Shqipërinë”. Hoxha pas lufte u pat deklaruar amerikanëve se marrëveshjet dypalëshe me SHBA-në ishin djegur gjatë luftës. “Diplomati” Hoxha kujtonte se do ia hidhte amerikanëve me një gënjeshtër të tillë, kur dihet se të gjitha marrëveshjet bëhen në dy ekzemplarë, të ruajtura veç e veç në kryeqytetet e shteteve që kishin rënë dakord për to. Të njëjtën tezë e dëgjuam edhe nga Fisher, i cili është një studiues i huaj pa lidhje me Shqipërinë që ka shfrytëzuar burime të dorës së tretë të katër apo të 14-të. Është sikur të pretendosh sot të shkruash historinë e komunizmit, duke pasur për bibliografi gazetat vendore të komiteteve të partisë në rreth.
Si njeri që i njoh arkivat e Shqipërisë kam patur fatin të di njerëzit që studiojnë prej vitesh dhe ata të cilët nuk e dinë ku janë këto arkiva.

Gafat historike të Fisherit

Nëse do të botoja tani të gjitha gafat që përmbajnë librat e Fisherit në lidhje me historinë e Shqipërisë, do më duheshin disa ditë për t’i renditur ato. Megjithatë, do përmend vetëm disa prej tyre. Nëse këto do t’i kishte thënë një studiues i sistemit me kohë të pjesshme, natyrisht ai do të ngelte në klasë.
Bibliografia e librit “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” përfshin disa libra të autorëve të ndryshëm dhe disa gazeta të rastësishme, që ka mundur të lexojë.
Duke u vetëshpallur si biografi personal i Ahmet Zogut, Fisher shkruan në librin e tij (“Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, Tiranë, 1996, faqe 1) se origjina e Ahmet Zogut ishte nga fshati Zogaj i vendosur “në këmbët e malit të Taraboshit”. Natyrisht “biografi” nuk ia ka idenë se bëhet fjalë për një fshat tjetër, pikërisht për Zogajn e Tropojës.
Normalisht si historiografia komuniste e quan Esat Toptanin “ungji i Ahmet Zogut”, pavarësisht se lidhja e tyre është shumë, shumë e largët, gati e papërfillshme (po aty, faqe 20).

Fisheri bën Turhanin, Mit’hat

Dijenitë e paplota, as të nivelit fillestar, e bëjnë Fisherin të thotë në faqen 29 të librit në fjalë se “në vitin 1918, Mit’hat Frashëri kishte ngritur një qeveri në Durrës”. Natyrisht që Mit’hati do ia dinte për nder “regjentit” Fisher këtë emërim, por nuk mund të bëhej kryeministër në këtë mënyrë, sepse historia një gjë të tillë ia kishte dhënë Turhan Përmetit.
Mirëpo për të mbështetur një ide që e nis më lart, Fisher e bën Ahmet Zogun ministër të paqenë të Luftës në kabinetin e Pandeli Evangjelit, të cilin e quan “përfaqësues i mekur, por i ndershëm i Shqipërisë në Konferencën e Paqes”. Përveçse është provues i “ndershmërisë” së njërit dhe “pandershmërisë” së të tjerëve, Fisher nuk e di për shembull që ministri i Luftës i kësaj kohe nuk është Ahmet Zogu, por Isuf Gjinali.
Në vendosjen e datave historike Fisheri është i pasaktë pothuaj në të gjitha datat që vendos në libër. Sa për shembull (sepse shumica e datave janë gabim) Zogu nuk u bë kryeministër më 16 dhjetor 1922, por më 2 dhjetor 1922 (shih faqe 50); Avni Rustemi nuk është qëlluar për vdekje më 5 maj 1924, por më 20 prill 1924 (shih faqe 71).

“I mençuri” Fisher dhe politikanët “budallenj”

Thuhet se njeriu mendjelehtë dhe që i pëlqen vetja, e ka zakon të dashurohet me veten e të merret me të tjerët, të cilët i duken pa vlerë dhe pa dije. Në libra kjo shihet nga etiketimet e përdorura për figura të kohëve të tjera. Gjuha e përdorur nga Fisher në libra është në disa raste fyese, por edhe e ngjashme me pretencat e prokurorëve apo me vendimet e gjykatësve të periudhës komuniste. Fisheri as ka jetuar, as ka lexuar literaturë të shkruar, as ka dëgjuar incizime, për të arritur në përcaktime të tilla se ky ishte “injorant” apo ky ishte më pak injorant. Kësisoj Fisher nxjerr Xhaferr Ypin me “zgjuarsi të kufizuar” (ec e kuptoje mbi ç’bazë, shih faqe 49), ndërkohë që sipas tij ministri i Financave Kolë Thaçi, i Drejtësisë Hysen Vrioni “ishin nulitete të përkryera”. I ndjeri Kolë Thaçi, i shkolluar dhe me një përvojë të pasur në fushën e financave, ndoshta nuk do ta dinte se çfarë duhej të bënte më shumë për t’i mbushur mendjes Fisherit se është i zoti. Po ashtu, edhe Hysen Vrioni, një njeri i arsimuar me përvojë të gjatë administrative.
Në faqen 45 ai shkruan se në fund të vitit 1921 Zogu vuri disa prej “kukullave të tij” në Këshillin e Naltë. Natyrisht këto “kukulla”, nuk kanë emra në libër, se p.sh. Sotir Peci nuk ishte mbështetës i Zogut, bile kundërshtar i rreptë i tij. E, megjithatë, duhej bërë “kukull” për të nxjerrë versionin e Fisherit.

Koburja e Valterit dhe analiza e Fisherit

Më 23 shkurt 1924 në Kuvendin Kushtetues u plagos kryeministri Ahmet Zogu nga Beqir Valteri. Po të lexosh procesverbalin e mbledhjes së deputetëve, do të kuptosh se kryetar i legjislativit nuk ishte Eshref Frashëri siç shkruan Fisheri, por si drejtuesi i përkohshëm Petro Poga. Ka rëndësi ky moment, pasi akoma nuk ishte zgjedhur kryetari dhe kjo pikë lidhjeje me çështjet kryesore.
Duke vazhduar për vrasjen e Avni Rustemit, Fisher thotë se vrasësi ishte “ish besniku i Esat Pashës”, por nuk e provon fare se si ai ishte “vegël e Ahmet Zogut”.

Vrasja e Lef Nosit...nga Zogu

Duke dashur të plotësojë tezën e gatshme për Zogun vrasës, Fisher në faqen 88 të librit thotë se Zogu vrau “udhëheqësin e njohur Lef Nosi”. Këtu natyrisht nuk ka ç’të thotë as historiografia komuniste, pasi Fisher ia ka kaluar me të gjitha. Le që Lef Nosi nuk ka qenë kurrë “udhëheqës i njohur”, bile as ka pretenduar të ishte, por dihet se ai është pushkatuar në shkurt 1946 pas gjyqit të zhvilluar kundër tij dhe Maliq Bushatit dhe Patër Anton Harapit.

Kontradiktor brenda një libri

Në jo pak raste në librin për Zogun gjen kundërshti. Teksa në hyrjen e librit thotë:
“Zogu është ai që hodhi themelet e shtetit e shtetit të centralizuar shqiptar dhe ndihmoi në ushqimin e frymës kombëtare në Shqipëri”, në faqen 319 ai shkruan: “Dështimi i tij kishte qenë i madh”.

Kostaqi ngatërrohet me Kostandinin

Pas librit të parë për Ahmet Zogun, Fisheri mbi ato çika burimesh të hallakatura botoi librin “Shqipëria gjatë luftës 1939 – 1944”, Tiranë 2000. Për fat të keq, krahasuar me këtë libër, edhe punimet e Institutit të Studimeve Marksiste – Leniniste duken më serioze, sepse të paktën nuk kanë referime datash apo emrash gabim.
Që të bësh histori, duhet të njohësh mirë figurat historike, sepse në të kundërt mund t’i ngatërrosh ato. Shpesh Fisher jo vetëm ngatërron figura historike, por edhe e komenton ngatërresën. Në faqen 164 të librit duke komentuar qeverinë e Mustafa Krujës (1941 – 1943), Fisher thotë se në të mori pjesë edhe ish-kryeministri i Zogut, Kostaq Kota. Në fakt fjala është për Kostandin Koten, ministër i Ekonomisë Kombëtare i cili ishte antizogist.
Në kohën kur Kostandini u bë ministër, Kostaqi ishte në emigrim. Megjithatë, kjo i duhej Fisherit për të “provuar” atë që kishte bërë ish-kryeministri. Kostandin Kote u pushkatua nga gjyqi special në vitin 1945.

Fisher dhe disqet e Ibrahim Biçakçiut

Në faqen 308 Fisher shkruan se kryeministri Ibrahim Biçakçiu nuk arriti të zgjidhte disqet që do merrte me vete, kështu që u kap dhe u pushkatua nga komunistët. Siç është shkruar, duket sikur po tregon ndonjë përrallë me ujkun qimezi e kësulëkuqen që po ecën në pyll. Ibrahim Biçakçiu u dorëzua vetë te komunistët në Shkodër, as nuk u kap nga komunistët dhe as pranoi të largohej nga Shqipëria. Ibrahimi ka dalë nga burgu në vitin 1962 dhe ka vdekur në Elbasan në shtëpinë e vet në vitin 1977.

Enver Hoxha nacionalist?

“Pavarësisht nga dhuna dhe retorika e egër staliniste, tek e cila gjeti strehë më pas, Hoxha nuk kishte zgjedhur tjetër veç të bëhej po aq nacionalist i zjarrtë sa kishte qenë Zogu” – shkruan Fisheri – thotë Fisher. (po aty, faqe 352)
Përpjekja më e mjerë është ajo që kërkon t’i japë nacionalizmit shqiptar fytyrën kriminale të Enver Hoxhës. Ky i fundit ishte antinacionalisti model, kurrë nuk mund të përfaqësonte nacionalizmin shqiptar. Enver Hoxha u vu në krye të Partisë Komuniste nga Miladin Popoviç si antinacionalist. Ai shkatërroi me tërbim nacionalizmin shqiptar, shkatërroi gjithë inteligjencien e vendit. Qysh gjatë luftës, frymëzoi luftën civile, shkatërroi ekonominë e vendit, i mëshoi ndarjes krahinore të vendit, lidhi traktate rrënuese me Jugosllavinë, u lidh gjithnjë me armiqtë strategjikë të kombit shqiptar, u largua nga aleatët strategjikë të tij, etj. Ky “nacionalisti” i Fisherit ua tregoi vendin kosovarëve dhe çamëve, mijëra prej të cilëve i kalbi burgjeve e kampeve të internimit. Mjaftonte masakra e Tivarit për të thënë se sa “nacionalist” ishte Enver Hoxha. Mjaftonte të thuhej se si e quante “shovinist shqiptar” Gjergj Fishtën në fjalimet e para Enver Hoxha. E quante “shovinist” se na kishte prishur me “Jugosllavinë motër”. Këtë pohim Fisher e bën që të njollosë nacionalizmin shqiptar, i cili në pikëpamjen e tij duhet të jetë patjetër i egër, stalinist, etj.

Adhurimi për Nexhmije Hoxhën

Para pak kohësh Fisheri ka ngrënë çorbën e Nexhmije Hoxhës. Ka qenë në shtëpinë e saj dhe është “mallëngjyer” nga gruaja e diktatorit të Shqipërisë. Le ta mbajë këtë mallëngjim, se nuk i duhet kujt. Shqiptarët e dinë mirë çfarë mrekullie kanë kaluar në regjimin e “nacionalistit” Enver. Vizitën te Nexhmija, Fisher e ka dëshmuar vetë në shtyp. Kjo përgjegjëse e madhe për krimet e komunizmit me siguri i ka sqaruar Fisherit se sa i mirë ishte Enveri, se si i vodhi shqiptarëve gjithçka që kishin (me ar, flori, lugë e pirunj), se si i mësoi të brohorisnin për Titon, Stalinin, Maon (si “nacionalist” i madh që ishte), etj, sesi i vrau e i plasi burgjeve e kampeve. Për të ardhur keq që Fisheri hëngri çorbën e Nexhmijes dhe tani e vjell atë si leksion për demokracinë shqiptare.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›