Mbi 36 për qind shqiptarë në shkollat e Shkupit
Statistika e ndërmjetme e popullsisë për kryeqytetin e Maqedonisë
Nga 7.324 nxënës, sa është numri i gjysmëmaturantëve të vitit 2011/2012 në shkollat fillore të Shkupit, 2.677 ose 36.5 për qind janë shqiptarë. Rreth 35 për qind është edhe prezenca e shqiptarëve në nivel shteti. Konkretisht, në klasën e tetë, në të gjitha shkollat e Maqedonisë, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë 8.323 nxënës, ndërsa në total janë 23.922 nxënës të klasave të teta
Shqiptarët, me theks të veçantë ata të Shkupit, përfundimisht po bëhen faktor dominues numerik i shkollave. Përqindja e tyre sa vjen e rritet çdo vit, si në arsimin e mesëm ashtu, edhe atë fillor, ndërsa pjesëmarrja e tyre me rreth 35 për qind është tanimë një çështje e tejkaluar. Në shkollat fillore të Shkupit, prezenca e nxënësve shqiptarë është pak më tepër se 36.5 për qind. E lartë është edhe prezenca e shqiptarëve në nivel shteti, respektivisht mbi 34 për qind. Të dhënat për numrin e nxënësve në shkollave fillore, të cilët ndjekin mësimin aktualisht, tregojnë se në vitin shkollor 2011/2012, 34.8 për qind e gjysmëmaturantëve të këtij viti janë shqiptarë. Në këtë numër nuk hyjnë nxënësit shqiptarë, të cilët mësimin e zhvillojnë në ndonjë gjuhë tjetër, si maqedonisht apo turqisht. Raste të këtilla ekzistojnë edhe më tej në Maqedoni, edhe pse jo në përmasat e para dhjetë viteve, për shembull. Sidoqoftë, edhe ato numra, të cilat u referohen numrit të nxënësve sipas gjuhës në të cilën e ndjekin mësimin, numri i nxënësve në paralelet me mësim në gjuhën shqipe mjaftojnë për të dëshmuar se prezenca e shqiptarëve nëpër shkolla është shumë më e lartë se të dhënat zyrtare prej 25.7 për qind, që përdorën shteti për të treguar përqindjen e banorëve shqiptarë.
Përqindje e madhe edhe në shkollat fillore
Sipas të dhënave për numrin aktual të nxënësve që aktualisht ndjekin mësimin në klasë të tetë, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe në të gjitha shkollat e Maqedonisë numërohen 8.323 nxënës, ndërsa numri në total i gjysmë maturantëve të këtij viti është 23.922 nxënës. Pra, e përpjesëtuar me numrin e përgjithshëm të gjysmë maturantëve të këtij viti, numri i gjysmë maturantëve shqiptarë (8.323) përbën jo më pak se 34.8 për qind të numrit të përgjithshëm. Ende më të lartë e nxjerrin shkollat përfaqësimin e shqiptarëve në qytetin e Shkupit. Konkretisht, sivjet në paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë 2.677 nxënës gjysmëmaturantë, ndërsa numri në total i gjysmëmaturantëve të Shkupit nuk është më i lartë se 7.324 nxënës në të gjitha paralelet. Sipas kësaj, numri i gjysmëmatuarëntëve shqiptarë në shkollat e kryeqytetit është diç më tepër se 36.5 për qind. Këto të dhëna, të cilat i siguroi KOHA, nuk janë bërë ende publike nga ana e Ministrisë së Arsimit, mirëpo janë përdorë për nevojat e përpilimit të Konkursit për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin shkollor 2012/2013. MASH i mban çdo herë të rezervuara të dhënat për përqindjen e nxënësve sipas përkatësisë etnike, me arsyetimin se nuk i ndajnë nxënësit në baza etnike, ndërsa të dhënat për numrin e gjysmëmaturantëve të vitit shkollor 2011/2012, sipas gjuhëve në të cilin e ndjekin mësimin, i janë ofruar Komisionit Shtetëror të Regjistrimit si të dhëna bazë për përgatitjen e Konkursit për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme, për vitit e ardhshëm shkollor.
Dëshmon edhe Enti Shtetëror i Statistikave
Se në Maqedoni, shqiptarët nuk gëzojnë krejtësisht të drejtën për shkollim në gjuhën amtare, është diçka të cilën e konfirmon edhe Enti Shtetëror i Statistikave. Sipas të dhënave që ka publikuar vjet ESHS-ja, nëpër shkollat e Maqedonisë - janë 1.254 nxënës shqiptarë, por që arsimin fillor nuk e ndjekin në gjuhën shqipe. Në paralelet maqedonase, sikurse ka bërë të ditur ESHS, nga klasa e parë deri në të tetën numërohen 133.468 nxënës. Mirëpo, vetëm 112.272 prej tyre janë të përkatësisë maqedonase, sepse të tjerët janë shqiptarë edhe atë 1.230 nxënës, turq 3.115 nxënës, romë 9.710, vlleh 400, serbë 1.718, boshnjakë 2.002, të përkatësive tjera 2.989 nxënës dhe 32 të pa përcaktuar.
Në paralelet shqipe ndërkaq, nga klasa e parë deri në të tetën vjet evidentoheshin 69.922 nxënës, mirëpo pa 1.254 shqiptarët që janë në paralelet maqedonase, kryesisht (1.230) dhe paralelet turke pjesërisht (24). Kështu në total, në vitin shkollor 2010/2011, nga klasa e parë deri në të tetën, ESHS ka evidentuar 70.069 nxënës shqiptarë e që e përpjesëtuar me 208.980 (numri në total i të gjithë nxënësve të shkollave fillore) atë vit shkollat i nxirrnin shqiptarët me 33.5 për qind. Përqindja e maqedonasve, nga ana tjetër nuk arrinte as shkallën e 54 përqindëshit. Në bazë të të dhënave për përkatësinë etnike, e sipas të cilave 112.293 nxënës janë të përkatësisë maqedonase, i bie që përqindja e tyre në total të jetë 53.7 për qind. Kjo është për 10 shkallë më pak se përqindja e të dhënave që përdoren zyrtarisht për numrin e banorëve në Maqedoni. Rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitin 2002, i nxjerrin maqedonasit mbi 64.2 për qind, kurse vitin e kaluar - shteti e dështoi regjistrimin e popullatës. Të gjitha të dhënat pritej të sillnin ndryshime radikale në përbërjen e popullsisë sipas përkatësisë etnike. Në shtatë vitet e fundit, është ulur për 13 mijë persona numri i maqedonasve, kurse është rritur për 13 mijë numri i shqiptarëve. Këto të dhëna janë lehtë të evidentueshme nga cilido që bën një analizë krahasuese mes numrit të atyre që kanë lindur dhe vdekurve, në periudhën e viteve 2004-2010. Në këto shifra, numri i banorëve të vdekur maqedonas është më i madh nga numri i të lindurve. E kundërta ndodhën me shqiptarët. Njohës të çështjeve demografike, vlerësojnë se ky trend do të vazhdon të paktën edhe në 25 vitet e ardhshme.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”