Basha në Elbasan: Brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, shqiptarët do të lëvizin pa viza në hapësirën “Shengen”
"Nën drejtimin e kësaj mazhorance, brenda vitit të parë të mandatit të dytë, qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen", u shpreh sot ministri i Punëve të Jashmte, Lulëzim Basha gjatë një takimi me banorë të komunave Pajovë, Papër dhe në fshatin Katund i Ri të Komunës Bradashesh. "Ndryshimi që kjo mazhorancë i beri Shqipërisë nga jugu në veri, ndryshimi i imazhit të saj është sot i vlerësuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga udhëheqës e përfaqësues të popullit nga vendet dhe demokracitë më të fuqishme të botës", u shpreh Basha. Ai solli si shembull deklaratat e ish-presidentit Bush, presidentit Obama, presidentit Sarkozi, kancelares Merkel, kryeministrit Berluskoni, etj. të cilët, u shprehën krenarë për arritjet e Shqipërisë, deri tek kongresmeni Eliot Engël, që e krahason vizionin e Kryeministrit Berisha për infrastrukturën, me atë të presidentit Ajzenhauer. “Katër vite më parë, askush nuk do ta besonte se pa zbuluar naftë, pa konferencë donatorësh, pa miniera floriri do të mblidhnim 4 miliardë dollarë më shumë, të cilat do t’ua rikthenim shqiptarëve me mbi 3 mijë km rrugë, mbi 600 ujësjellës, mbi 1000 kanalizime, mbi 1000 shkolla dhe pensione e rroga të rritura. Miku 25-vjeçar i shqiptarëve, kongresmeni Elio Engel, do ta përshkruante infrastrukturën e vendit si një rrjet të ngjashëm, për kokë dhe frymë, me atë të ngritur nga presidenti Ajzenhauer. Engel e ka krahasuar vizionin e Kryeministrit Berisha me atë të presidentit Ajzenhauer”, u shpreh ministri Basha. Duke theksuar se anëtarësimi në NATO, nuk ishte dhuratë por meritë, Ministri Basha tha se, aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Europian, çel një kapitull të ri në bërjen realitet edhe të kësaj ëndrre të shqiptarëve.
...