E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha në Kombinat. Investime jo vetëm në qendër

Basha dje gjatë inspektimit të punimeve

Nis rehabilitimi i rrugës për në varrezat e Sharrës dhe ndërtimi i rrugës Llambri Ziçishti në Kombinat. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, inspektoi dje punimet në Njësinë Bashkiakë Nr.6., rruga Llambi Ziçishti, me gjatësi 320 m. Një investim prej 13.8 milionë lekësh që shtrihet në afërsi të varrezave të Sharrës, deri në kufirin territorial të Bashkisë së Tiranës. Kjo është ndërhyrja e parë që kryhet në këtë rrugë. Sipas Bashkisë së Tiranës, investimi do ti japë afro 1 mijë banorëve të zonës parametra europianë. Aktualisht ka nisur puna dhe së shpejti do të inspektojmë rrugën Hamdi Cenomeri dhe po përgatitemi, që në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, të çelim punimet edhe në Rrugën e Qelqit, tha Basha. Përveç kësaj, po investohet edhe në objekte shkollore dhe parashkollore. Në buxhetin e këtij viti është parashikuar rikonstruksioni i kopshtit (Rr. Hamdi Cenomeri) dhe ndërtimi i shkollës së re 9-vjeçare, tek ish-Kombinati Tekstil. Vlera e këtyre dy investimeve është 148.650.000 lekë. Përkushtimi im, përkushtimi i Bashkisë së Tiranës është që investimet të shtrihen kudo ku shtrihet qyteti, kudo ku ndodhen shtëpitë e qytetarëve. Tirana moderne europiane fillon nga pragu i derës së çdo qytetari dhe jo vetëm nga qendra, dhe kjo rrugë është dëshmi e këtij angazhimi, tha kryebashkiaku. Pas hartimit dhe azhornimit të projektit, në bashkëpunim me Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës, pritet që punimet në rrugën Llambi Ziçishti të përfundojnë brenda 8 muajve. Banorët e kësaj zone do të kenë një rrugë të parametrave europiane, me ndriçim, gjelbërim, ujësjellës-kanalizime, azhornim të rrjetit elektrik, ndërsa qytetarët e Tiranës do të kenë një akses të përmirësuar në varrezat e Sharrës, theksoi kryebashkiaku Basha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›