Basha nis fushatën edhe online, në facebook me foto familjare
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, edhe pse kandidat i së djathtës, për Bashkinë e Tiranës ka zgjedhur një qasje obamiane ndaj fushatës në prag të 8 majit për zgjedhjet vendore. Ministri ka hapur faqen e tij në facebook, duke u bërë edhe ai një ndjekës i një trendi tashmë të konsoliduar; atij të komunikimit përmes botës virtuale të internetit. Faqja në facebook e Bashës, përveç takimeve zyrtare, si eksponent i Partisë Demokratike dhe ministër i mazhorancës në pushtet, përmban edhe anën “intime”. Bëhet fjalë për një foto të ministrit të Brendshëm me bashkëshorten e tij, Aurela, dhe vajzën Dafina. Fotoja familjare e Bashës është realizuar në ato që duken si mjediset e apartamentit të ministrit të Brendshëm: drojës fëminore të vajzës së vogël i bashkohet buzëqeshja “e vogël” e bashkëshortes dhe një buzëqeshje e ministrit, që duket sikur thotë “gjithçka shkon për mrekulli”. Basha, më i përfoluri dhe madje edhe i përmenduri publikisht në disa raste, nga eksponentë të Partisë Demokratike, por edhe nga Kryeministri Berisha, si kandidat i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, duket se me faqen e Facebook-ut i ka shtuar edhe profilin familjar, profilit tashmë të konsoliduar të politikanit të ri e të suksesshëm. Gjithashtu, ministri shqiptar fut në fushatën elektorale për Bashkinë e Tiranës një përmasë të re, të promovuar në fakt nga ai që aktualisht mban zyrën e Presidentit të Amerikës, Barack Obama. Me anë të facebook-ut, ish-kandidati i demokratëve, arriti jo vetëm të përçonte mesazhin e tij, por edhe ta shndërronte këtë faqe në një makineri të mbledhjes së fondeve për fushatën (fundraising).