Rama: Probleme me listat, s’ka garanci për 8 Majin
“Rikandidimi për Bashkinë e Tiranës? Ditën e hënë do kemi përgjigjen e qartë, të plotë dhe të shtjelluar lidhur me çështjen”
Pak ditë para çeljes zyrtare të fushatës elektorale për votimet e 8 Majit, Partia Socialiste e cilëson procesin zgjedhor të pa garantuar. Kreu i socialistëve Edi Rama deklaroi qartazi dje se do të vazhdojë të mbrojë fort bindjen që duhet gjithçka e nevojshme, për të pasur një proces zgjedhor që të mos i ngjajë farsës së herës së shkuar. Duke ju përgjigjur deklaratave të ambasadorëve, se nuk ka më kohë për ndërhyrje në kodin elektoral, Rama tha se ka disa aspekte që janë plotësisht të realizueshme dhe për këto aspekte plotësisht të realizueshme ka ndarë shqetësim me ambasadorët. Rama denoncoi mungesën e transparencës në procesin e përgatitjes së listave. “Ekipi i ekspertëve tanë, që është ngarkuar me këtë çështje, informon se ndoshta nesër do të jemi gati të bëjmë publike gjetjet e hetimit mbi listat që janë shqetësuese. Megjithatë do t’i vëmë në dispozicion të publikut dhe të drejtorisë në fjalë për t’i përmirësuar”, u shpreh Rama. Ai konstatoi gjithashtu se ka filluar një mësymje mbi administratën, që nga ministritë deri tek trupat mësimore në qytete të ndryshme të vendit, ku u kërkohen nëpunësve të administratës informacione shumë të çuditshme, mbi kartën e identitetit, mbi vendbanimin, mbi të tjera aspekte që krijojnë shumë shqetësim në këtë fazë ku ndodhemi. “Dua të theksoj me shumë qartësi dhe fort, faktin se ka një përpjekje përditë e më evidente për të përfshirë në një mënyrë të organizuar dhe të jashtëligjshme rrogëtarët e shtetit, për nevojat e fushatës së pushtetit. KQZ-ja është përfshirë në një operacion të paligjshëm, kriminal, duke fotokopjuar për nevojat e pushtetit dhe të fushatës së pushtetit materiale zgjedhore që ju mohuan thuajse dy vjet me radhë publikut dhe deputetëve të opozitës që kërkuan transparencën mbi to”, nënvizoi Rama. Në vlerësimin e tij, ky është një veprim tërësisht i dënueshëm dhe përtej të dënueshmes ky është një veprim që kërcënon hapur zgjedhjet që kemi në prag. Duke ju referuar kreut të KQZ-së Arben Ristani, lideri i opozitës tha se “ai herët ose vonë do të duhet të dal përpara drejtësisë për një sërë shkeljesh të rënda të ligjit dhe për faktin se ka urdhëruar dhe lejuar fotokopjimin e materialeve zgjedhore në llagëmet e KQZ për t’ia vënë në dispozicion fushatës së PD”. Për sa i përket deklaratave të ambasadorëve, sqaroi ai, nënvizojnë mungesën e kohës për një reformë në Kodin Zgjedhor, por që nuk kanë të bëjnë me ato garanci të domosdoshme e plotësisht të realizueshme për të cilat ne flasim. I pyetur nëse PS do të tërhiqet nga kushti për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai tha se “KQZ-në dhe çdo institucion tjetër e lëmë tërësisht të qetë të punojë, por nuk do ta lëmë kurrë të qetë të manipulojë”. Sakaq, duke komentuar zërat në lidhje me kandidimin e tij për Bashkinë e Tiranës, Rama konstatoi se “zgjedhjet e 8 majit, për sa na takon, do të jenë një demonstratë e madhe e mbarë popullit opozitar, e çdo qytetari që kërkon t’i çoj mesazhin e tij me votë Saliut”. Ky popull opozitar, tha Rama, do të jetë i gatshëm të përballet, ashtu siç thonë hebrenjtë, sy për sy e dhëmbë për dhëmbë, me çdo lloj trupe dhe me çdo lloj forme të organizuar për të cenuar vullnetin e popullit të shprehur me votë. “Lidhur me pyetjen, besoj që ditën e hënë do kemi përgjigjen e qartë, të plotë dhe të shtjelluar, lidhur me çështjen”, premtoi Rama. Interesit të medias, në lidhje me strategjinë e protestave, ndërsa po nis fushata zgjedhore, Rama ju përgjigj se “janë ta pandara nga njëra-tjetra, në kuptimin që ne jemi përballë. Ne do të vazhdojmë të përballemi me këtë regjim kusarësh, ashtu siç e kemi thënë, me çdo formë e mjet demokratik”. D.M.