Situata para zgjedhore, Dade ankohet te Fyle
Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, mori pjesë në takimin e Task Forcës të Partisë së Socialistëve Europianë, për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Bruksel. Gjatë diskutimit të pikëpamjeve lidhur me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, në seancën ku ishte i pranishëm Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, Dade shprehu shqetësimin për krizën e rëndë politike që vazhdon në vend, pas refuzimit nga ana e maxhorancës të propozimit të Partisë Socialiste në Kuvend, i cili mbështetej në 12 pikat e opinionit të Komisionit Europian, lidhur me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, u shpreh shqetësimi lidhur me luftën e zbehtë kundër korrupsionit që kulmoi me publikimin e videoskandalit të ish-zëvendëskryeministrit dhe
ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta, dhe aferat e fundit korruptive lidhur me tregtimin e naftës virxhin, ku janë përfshirë biznesmenë pranë familjes në pushtet dhe strukturat shtetërore, si dhe abuzimin me privatizimin e trojeve të fshatrave turistikë. Gjithashtu, u shpreh gatishmëria e opozitës për dialog për zgjidhje e krizës politike. Duke u ndalur tek zgjedhjet lokale, Dade theksoi problemet infrastrukturën zgjedhore, si dhe mekanizmat për të garantuar zgjedhje të lira e demokratike. Nga ana e tij, Komisioneri Fyle rikonfirmoi politikën e BE-së për zgjerimin mbi bazën e progresit të secilit vend dhe kërkoi nga autoritetet shqiptare të garantojnë standardet për zgjedhje të lira dhe të krijojnë të gjitha rrugët e domosdoshme për bashkëpunim me opozitën lidhur me axhendën europiane.