E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha pengon ekspozitën e të përndjekurve politikë

Share

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, po pengon që të përndjekurit politikë të organizojnë një ekspozitë përkujtimore në sheshin Skënderbej. Bashkia nuk ka lejuar të vendosin fotot dhe skenën për këtë aktivitet.

Ish-të përndjekurit politik janë përplasur mbrëmjen e sotme me Policinë Bashkiake në lulishten pranë sheshit Skëndërbej ku dikur ngihej busti i diktatorit Enver Hoxha.

Përplasja ka ardhur pasi ish-të përndjekurit dhe familjarët e tyre kanë shkuar aty për të vendosur rreth 4500 foto mbi pemët e lulishtes, në shenjë përkujtimi për aktivitetin që do të zhvillohet nesër. Fotot janë ato të personave të pushkatuar gjatë regjimit komunist.

Policia Bashkiake u ka kërkuar të largohen pasi nuk kishin marrë leje për këtë aktivitetet ndërsa të përndjekurit pretenduan se kanë kërkuar leje 3 javë më parë në Bashki por kreu i saj Lulzim Basha i ka injoruar.

Nesër në orën 10.30 në Sheshin “Skënderbej, Tiranë, Besim Ndregjoni, Mjeshtër i Madh, aktivist i të drejtave të njeriut, Sekretar i Përgjithshëm i Integrimit të të Burgosurve dhe të të Përndjekurve Politikë, planifikon hapjen e ekspozitës “Shqipëria kujton – Eshtrat e tyre nuk kanë varr”, kushtuar 4500 qytetarëve intelektualë antikomunistë që u pushkatuan nga diktatura.

Ekspozita do të hapet me Hymnin Kombëtar dhe me lutjet shpirtërore nga katër përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare. Pasi të jepet një mesazh nderimi nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, hapjen e ekspozitës do ta përshëndesë zotëri Adem Demaçi, disident i burgosur 40 vjet në burgjet serbe.

Besim Ndregjoni, në shenjë nderimi dhe respekti për ata që humbën jetën duke u përballur me regjimin më mizor që ka përjetuar kombi shqiptar dhe një nga regjimet më mizore që ka përjetuar njerëzimi, i fton qytetarët e kryeqytetit dhe qytetarët e tjerë shqiptarë ta vizitojnë ekspozitën dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve sensibilizuese që kjo plagë e trashëguar nga diktatura të shërohet sa më shpejt dhe të mos neglizhohet më nga regjimet e tranzicionit, sepse vetëm kështu do të përparojë procesi i pajtimit kombëtar, begatia e demokracia e vërtetë, do të përparojë procesi i integrimit të vërteta perëndimor për shqiptarët, do të bëhet realiteti bashkimi ynë kombëtar, thuhet në një njoftim për aktivitetin.

Partia Demokratike ka arritur të përccajë edhe të përndjekurit, duke i cilësuar disa si njerëz pranë Bamir Topit dhe duke i diskriminuar e sulmuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›