Basha për herë të dytë në Prokurorinë e Përgjithshme

TIRANë - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dje ka shkuar për herë të dytë në Prokurorinë e Përgjithshme, por këtë radhë me një tjetër status dhe qëllim. Ndryshe nga vizita e nëntorit të vitit 2008, kur ministri i Jashtëm i asaj kohe thirrej në prokurori në cilësinë e të pandehurit, ditën e djeshme z. Basha u ul në të njëjtën tavolinë me kryeprokuroren Ina Rama, ku u tha se folën për çështje shumë të rëndësishëm, një prej të cilave edhe lufta ndaj korrupsionit që kryhet nga zyrtarët apo punonjës të tjerë të administratës. Zyrat e shtypit e të dy institucioneve, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, dhanë thuajse të njëjtën deklaratë për takimin, ku theksi vihej në bashkëpunimin institucional. Ndryshimi i vetëm ishte, se cili prej dy drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë takoi tjetrin. Ministria e Brendshme tha se ministri Basha takoi kryeprokuroren, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme tha të anasjellën. Por pavarësisht se kush ishte iniciatori i takimit, të dy këto institucione dhanë mesazhin se mes tyre ka nisur një frymë e re bashkëpunimi ndaj të gjitha krimeve të mundshme që hasen në Shqipëri. Një fakt i tillë u pohua zyrtarisht si nga Ministria e Brendshme, ashtu dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat thanë se takimi mes Bashës dhe Ramës u fokusua kryesisht në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe diskutimin për përcaktimin e detyrave konkrete që do të kenë strukturat e hetimit të policisë dhe prokurorisë në zbatim të ligjit “Antimafie”. Edhe pse Basha ka marrë detyrën e ministrit të Brendshëm që prej muajit shtator të vitit të shkuar, vetëm dje ai arriti të takohet me Prokuroren e Përgjithshme, e cila më herët ka shmangur komentet për një takim të mundshëm mes saj dhe z. Basha, të cilin më 24 dhjetor të vitit 2008 e ka thirrur si të pandehur në institucionin qendror të akuzës, për abuzimet e dyshuara me fondin për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, e cila ligjërisht nuk mund të quhet e përfunduar.
Basha: Komisariatet janë bërë si reparte
TIRANë - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë një fjalimi në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet, parashtroi disa detyra të veçanta për rikonceptimin e punës së Policisë së Shtetit. “Të rikonceptojmë të gjitha komisariatet e policisë anembanë vendit jo si pika mbledhjeje, reparte, qendra shpërndarjeje, por në radhë të parë si qendra pritjeje për qytetarët me të gjitha lehtësitë, ku qytetari të ndihet i mirëpritur nëse vjen për të denoncuar një shkelje apo për të paraqitur një problem”, u shpreh Basha. Ministri Basha parashtroi gjithashtu nevojën e bashkëpunimit të ngushtë të Policisë së Shtetit, me shërbimet sociale, kërkimin e ndihmës së punonjësve socialë apo psikologëve, për referimin sa më mirë të problemeve të paraqitura nga qytetarët. Ministri Basha po ashtu paraqiti si një detyrë të rëndësishme për drejtuesit e policisë në qarqe, që krahas kryerjes së detyrave përkatëse, të rivlerësojnë rolin e tyre dhe të konsiderojnë pjesë të pandarë të aktivitetit, kontaktin e organizuar me komunitetin, në shkolla në ambiente të tjera, kontakt i cili duhet të ketë në qendër qytetarin, shqetësimet dhe problemet specifike të tij. Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, i pranishëm në konferencë, theksoi gjithashtu nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes policisë dhe autoriteteve të pushtetit vendor, duke e paraqitur edhe si një ftesë të qartë të mbështetur nga Komuniteti Europian. “Dua t’ju ftoj që të vendosni mbi çdo gjë tjetër sigurinë e komunitetit, ta vendosni këtë siguri mbi të gjitha debatet apo diskutimet politike që mund të keni në zonat e qeverisjes vendore”, deklaroi ambasadori Lohan, duke nënvizuar se bashkëpunimi për të zgjidhur shqetësimet e përbashkëta ndihmon në arritjen e zgjidhjeve praktike krijon një mjedis të sigurt për bizneset dhe ekonominë e vendit dhe në të njëjtën kohë, realizon një zhvillim të mirë dhe harmonik i marrëdhënieve brenda zonave të veçanta të banimit.