E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF cakton 9 marsin për Asamblenë Zgjedhore

TIRANE- Më 9 mars do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila do të nxjerrë presidentin e ri të këtij institucioni. Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e sotme ka zyrtarizuar datën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, që në bazë të Statutit duhet të zhvillohen brenda 6 mujorit të parë të këtij viti. Për Asamblenë e këtij viti, kandidati i vetëm që ka konfirmuar se do të jetë pjesë e garës është kreu aktual i Federatës Armand Duka, që konkurron për një mandat të tretë. Një tjetër emër që ka deklaruar se mund të kandidojë është ish-futbollisti i kombëtares Rudi Vata, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar prej tij. Gjithsesi, në ditët e ardhshme pritet të mësohen edhe emrat e kandidatëve të tjerë. Zgjedhjet e 9 marsit do të nxjerrin në fund njeriun që do të drejtojë Federatën e Futbollit për 4 vitet e ardhshme. Presidenti aktual i saj Armand Duka, e mban këtë post që prej vitit 2002, kur ai fitoi përballë Mehdi Bushatit. Në zgjedhjet e vitit 2006, Duka u rikonfirmua në krye të FSHF-së përballë Salvador Kaçajt dhe Edmond Haxhisë. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›