E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia në euro shtrenjtohet sërish, kostoja e euroborit vetëm 1%

 
Në një kohë që normat e interesit për monedhën europiane vazhdojnë rënien, në tregun bankar vendas kredia në euro që mbante “flamurin” në portofolin e bankave, vazhdon shtrenjtimin
 
Kredia në euro vazhdon që të shtrenjtohet, duke mos ruajtur asnjë lidhje midis kostos së financimit dhe interesit të kreditimit. Duke qenë në kushte të vështira ekonomike, bizneset kërkojnë kredi edhe me këto norma, ndërsa kthimi nga investimet me këto kosto shtesë mbetet i vështirë që të jetë fitimprurës. Sipas Bankës së Shqipërisë, kostoja e ndërmjetësimit (diferenca kredi-depozita) ka ruajtur nivel të lartë gjatë muajve korrik-nëntor 2009. Kjo diferencë ka lëvizur me kahe të kundërta, duke u ulur për lekun me 0.22 pikë përqindjeje dhe duke u rritur për euron me 0.66 pikë përqindjeje. Ky tregues në nëntor rezultoi 8.23 për qind për lekun dhe 6.25 për qind për euron. Diferenca midis normave të interesit për kreditë në lekë me ato në euro në muajin nëntor ka ndryshuar kah. Ajo regjistroi rënie prej 0.98 pikësh përqindje, duke arritur nivelin 5.27 për qind. Norma mesatare e interesit për kreditë në euro ka treguar rritje në këtë periudhë, duke iu larguar sërish normave referencë. Ajo ka rezultuar mesatarisht 8.05 për qind, ose 0.37 pikë përqindjeje më lart se gjashtëmujori i kaluar.
Shkaqet
Perceptimi i përgjithshëm i pasigurisë, monitorimi më i rreptë i kredidhënies në valutë dhe faktorizimi i luhatshmërisë së kursit janë shprehur në rritje të çmimit nga ana e bankave. Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe, norma e euriborit në tregjet ndërkombëtare është ulur interesat e kredisë në euro janë rritur për të gjitha afatet. Në afatin e shkurtër (për kapital qarkullues për biznese), norma e interesit ka ndjekur të njëjtën sjellje më monedhën vendase, duke theksuar prirjen shtrënguese të sistemit bankar për të siguruar likuiditet sezonal në valutë. Sipas afateve të maturimit vihet re tendenca për të shtrënguar më tepër kreditë afatgjata dhe për investime si përgjigje e perceptimit të bankave për rritjen e pasigurisë për ecurinë ekonomike në vend. Interesat për afatin e shkurtër (0-6 muaj) kanë shfaqur prirje rritëse deri në muajin tetor, si pasojë e kërkesës së lartë sezonale për rritjen e inventarëve për bizneset dhe u ulën më pas, duke u kthyer në normalitet në muajin nëntor.
 
Luhatshmëria
Periudha korrik-nëntor 2009 është karakterizuar nga luhatshmëri e lartë e normave mesatare të interesit. Një nga faktorët kryesorë ka qenë efekti sezonal i biznesit për kapital qarkullues, me qëllim rritjen e inventarëve. Ky efekt vazhdoi deri në muajin tetor, ndërkohë që muaji nëntor ka shënuar një ulje të normave të interesit për kreditë e reja në lekë. Prirja shtrënguese për kreditim është theksuar në monedhën europiane, e cila ka zgjeruar diferencat me normat referencë, në të cilat ajo referohet (si euribor, libor euro dhe kosto e fondeve). Në periudhën korrik-nëntor të vitit 2009, mesatarja e ponderuar e interesit për kreditë e reja në lekë është ulur mesatarisht vetëm me 0.04 pikë përqindjeje, në 13.61 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë. Kjo ecuri pasqyron edhe vazhdimësinë e tendencës shtrënguese të kushteve të kredidhënies gjatë kësaj periudhe.
 
 
Kontratat
Kreditë në monedhën europiane, veç kursit të këmbimit, po paraqesin edhe barrë të re për të gjithë klientët, të cilët tashmë po përballen edhe me një shtesë në këstet e tyre të kredive. Duke qenë se eurobori tashmë prej muajsh është duke përjetuar një rënie historike, bankat e nivelit të dytë janë duke u kërkuar klientëve që të firmosin një kontratë të re, e cila ka një normë tjetër si bazë të llogaritjes. Interesi bazë për monedhën europiane ka rënë poshtë 1 përqindëshit dhe të gjitha kreditë e dhëna në këtë monedhë prej një periudhe më shumë se dyvjeçare janë duke u kthyer në një barrë për bankat. Interesat e kredive në euro kanë pësuar një rënie për të gjitha kontratat e vjetra, pasi nga një interes që tentonte drejt 5 përqindëshit si bazë, tashmë kemi një interes më pak se 1 për qind. Me kontratat e reja që po kërkojnë për të lidhur me klientët, bankat e nivelit të dytë kanë vendosur një rritje të normës bazë të interesit për kreditë në euro në 4.5 deri në 5 për qind. Mbi këtë interes bazë shtohen edhe një interes tjetër plus, duke e çuar interesin në një normë, që për bankat është fitimprurës. Për një pjesë të madhe të klientëve masa atë tilla nuk janë kuptuar drejt, duke sjellë edhe pakënaqësi të shumta.
 
 
 
Prifti: Bankat të financojnë projektet koncesionare
Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka kërkuar nga bankat që të financojnë projektet koncesionare në fushën e energjetikës. Sipas ministrit, deri tani janë planifikuar rreth 1,9 miliardë euro investime, nga të cilat pritet prodhimi i 3 miliardë kilovatorëve energji më tepër në vit. Prifti tha se qeveria do t’u japë të gjitha garancitë financiare, por edhe ligjore bankave për të dhënë kredi për projekte energjetike. "Kemi përfunduar draftin për ligjin për energjinë e rinovueshme. Në këtë ligj do të fiksohet periudha e tarifës së subvencionuar dhe garantuar për 15 vjet, çka do të sjellë më shumë siguri për investitorët", u shpreh Prifti. Sipas kreut të ministrisë së Ekonomisë, janë rreth 100 koncesione që janë dhënë gjithsej në Shqipëri, që në fakt, në shumicën e tyre kanë pasur një sukses të dukshëm. “Që nga koncesioni i aeroportit, që i ka ndërruar pamjen aeroportit e deri te koncesioni i “Petroliferës”, Porto Romanos e deri te më të mëdha dhe më të vogla në hidrocentrale, miniera e fusha të tjera. Deri tani janë investuar në koncesione rreth 2 miliardë euro, pra që nga koha kur është filluar të jepen këto koncesione. Nëse do të përqendrohemi në disa të dhëna nga koncesionet që mbulon Ministria e Ekonomisë, ne kemi dhënë të paktën në fushën e energjetikës rreth 90 koncesione, 14 të tjera janë në proces, gjithsej janë 263 hidrocentrale, sepse ndonjëherë një koncesion ka brenda më shumë se sa 1 apo 2 hidrocentrale. Nga 90, 57 prej tyre janë për hidrocentrale të vogla, më pak se 5 megavat kapacitet të instaluar prodhues, 21 janë deri në 10 megavat. Pra, nga 90, 78 janë më pak sesa 10 megavat, shumica e koncesioneve të dhëna nga METE janë për hidrocentrale te vogla. 22 të tjerë deri në 50 megavat. Nga 57 koncesione janë të planifikuara edhe 103 milionë euro investime. Deri në 10 megavat janë 21 dhe janë 129 milionë euro investime të pritshme. 358 milionë euro priten për hidrocentralet e tjera që janë deri në 50 megavat”, tha Prifti. Mungesa e kreditimit nga ana e sistemit bankar në këtë periudhë është vlerësuar si një pengesë e madhe për zhvillimin e sektorit të koncesioneve. “Në të gjitha koncesionet parashikohet një investim deri në 1.9 miliardë euro. Pra, të gjitha këto që janë dhënë, përfshirë edhe koncesionet e mëdha, si ai i Devollit, nga të cilat 10 për qind e kësaj shume janë investuar deri më sot. Rreth 190 milionë euro janë investuar deri tani në koncesionet në energjetikë. I gjithë kapaciteti i të gjitha lejeve koncesionare që janë dhënë është 820 megavat, pavarësisht se janë 263 HEC-e të dhënë me koncesione, shumica janë të vegjël”, tha Prifti.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›