E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha-policisë: Puna juaj vendimtare për vizat

“Gjashtëmujori i parë i vitit 2010 do të hyjë në histori si gjashtëmujori më dinamik në historinë e Policisë së Shtetit, me një raport tërësisht të plotësuar të pritshmërive, detyrave dhe vlerës së kthyer qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë nga kjo agjenci e zbatimit të ligjit”, tha Basha.

Sipas tij, në këtë pjesë të parë të vitit, policia e shtetit arriti të menaxhojë me sukses situatën dramatike të përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë, si dhe ka luajtur një rol vendimtar në përmbushjen e të gjitha kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Duke u ndalur tek veprimtaria e Policisë së Shtetit në luftë kundër kriminalitetit, Ministri Basha nënvizoi se nga statistikat është qartë se forca e zbuluese e policisë është rritur me një vlerë absolute, duke zbuluar 1260 raste më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Pavarësisht kësaj, Ministri Basha kërkoi vëmendje më të madhe të punës së strukturave dhe punonjësve të policisë në qendër e qarqe për t’iu kundërvënë më mirë dhe më efektivisht veprimtarive kriminale me forma, metoda dhe mjete ligjore si dhe duke rritur veprimtarinë informative, zbuluese dhe parandaluese.

Në analizën e veprimtarisë së Policisë së Shtetit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, Ministri Basha u ndal në mënyrë të veçantë edhe në faktin se realizimi i detyrave nga ana e Policisë së Shtetit për plotësimin e kërkesave të Komisionit Evropian është vendimtar për vendimin pozitiv që pritet të merret së shpejti për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen.

“është e domosdoshme që edhe për gjashtëmujorin që vjen, qytetarët dhe taksapaguesit të gjejnë tek Policia e Shtetit jo vetëm mbrojtësin e lirive, dhe të drejtave të tyre dhe një vegël efikase në goditjen e krimit,por edhe një vlerë të shumëfishuar në rrugën drejt plotësimit të aspiratave tona kryesore, sikurse janë lëvizja e lirë brenda këtij viti dhe integrimi i plotë i vendit në BE”, përfundoi fjalën e tij Ministri i Brendshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›