Basha pranon: Nuk ka lehtësim vizash në 2009-n
Ministri i Jashtëm deklaroi dje se liberalizimi i vizave mund të shtyhet për në vitin 2010
TIRANË
- Liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë as në vitin 2009. Ka qenë ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, që ka pranuar një gjë të tillë, pas një takimi me Drejtorin për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Michael Leigh. Pavarësisht propagandës së vazhdueshme të qeverisë, se ky proces do të realizohej pikërisht në muajin janar të vitit të ardhshëm, kësaj here ka qenë vetë ministri i Jashtëm, Lulzim Basha që, pas takimeve të zhvilluara në Bruksel, ka pranuar se procesi i liberalizimit të vizave nuk mund të ndodhë në vitin 2009. “Kam thënë dhe vazhdoj të them që viti 2009 është një vit vendimtar për liberalizimin e vizave. Nëse liberalizimi do të ndodhë në muajt e parë apo në muajt e fundit, apo në rast se për shkak të rrethanave politike, të tilla siç përmendi dhe ministri Shvarcenberg në Tiranë, të krizës ekonomike që ka mbërthyer botën, mund të shtyhet edhe për fillimin e vitit 2010, kjo është një çështje kalendari dhe vendimmarrjeje politike",- tha ai. Duke mos dhënë dot asnjë afat konkret për realizimin e liberalizimin e vizave, Basha deklaroi se ky hap do të varet nga arritjet e Shqipërisë lidhur me kërkesat që shtrohen nga Bashkimi Evropian. “Ajo që Shqipëria ka në dorë është të përmbushë kushtet dhe ne jemi në rrugë të mbarë për të përmbushur të gjitha kushtet që të rritet mundësia që, dita kur shqiptarët të lëvizin drejt hapësirës Shengen pa viza, të jetë sa më afër. Se kur do të jetë kjo ditë, këtë s'mund ta them as unë, as ministrat e jashtëm të ç'do vendi evropian. Këtë duhet ta thotë i gjithë Bashkimi Evropian dhe është një vendim politik, por që duhet të bazohet mbi një platformë të shëndoshë të arritjeve që Shqipëria duhet të dëshmojë në nivelin teknik: Pasaportat biometrike, kontroll i integruar i kufijve dhe vazhdimësi e reformave",- tha Basha.