E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi në Turqi, ratifikohet Protokolli për në NATO

Presidenti Bamir Topi zhvilloi dje takime me personalitete të larta të Turqisë

TIRANË- Ka qenë një ditë e ngjeshur takimesh për Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në ditën e parë të vizitës dyditore, që po zhvillon në Turqi me ftesë të homologut të tij turk, Abdullah Gyl. Në takimin e zhvilluar mes dy presidentëve dhe delegacioneve zyrtare të kryesuara prej tyre, u vlerësuan lart marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë në të gjitha fushat, marrëdhënie të cilat burojnë nga miqësia dhe lidhjet tradicionale, historike, kulturore midis dy popujve tanë. Në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentit Topi në Republikën e Turqisë, Presidenti turk, Abdullah Gyl, firmosi edhe dekretin e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i cili u miratua një ditë më parë nga Parlamenti turk. Nga ana tij, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për këtë ratifikim, që, sipas tij, dëshmon edhe një herë mbështetjen konkrete të Turqisë për aspiratat integruese të Shqipërisë. Gjithashtu, Topi vlerësoindihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj aspiratës e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Vizita e Presidentit Topi vijoi me takime të tjera të nivelit të lartë, si Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdoan. Në këtë takim, Topi vuri në dukje rëndësinë e konsolidimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve me një vend partner strategjik, si Turqia. Pjesë e bisedës së tyre ishin edhe çështjet e rajonit dhe ajo e Kosovës, ku kryeministri turk, Erdoan e siguroi Presidentin Topi se Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj maksimale për të ndikuar tek vendet mike për rritjen e shteteve të tjera që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Presidenti Topi zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Këksal Toptan. Edhe në këtë takim, kreu i shtetit shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të dialogut politik midis dy vendeve, që reflektohet ndër të tjera në intensitetin e vizitave reciproke të nivelit të lartë. Në ditën e parë të vizitës së tij në Ankara, Presidenti Topi dhe delegacioni zyrtar, zhvilloi një vizitë në Mauzoleumin e Ataturkut, ku në një ceremoni të posaçme vendosi një kurorë në nder dhe përkujtim të udhëheqësit të madh dhe themeluesit të shtetit modern turk, duke lënë edhe përshtypjet e tij në Librin e Nderit, si dhe një ndalesë të veçantë, Presidenti i Republikës e pati dhe në Muzeun me famë botërore të Civilizimeve të Anadollit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›