Basha pret kongresmenin Peters: Tirana, potenciale për investitorët amerikanë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti sot në një takim kongresmenin amerikan Gary Peters, i cili shoqërohej nga ambasadori amerikan në Tiranë, z.Aleksandër Arvizu.
Basha e informoi kongresmenin amerikan mbi projektet dhe prioritetet e tij, për administrimin e qytetit, me planet strategjike, si zgjatimi i Bulevardit, ndërtimi i Parkut të ri të Tiranës, Linja e Tramvajit, reformat strukturore, reduktimi i barrierave fiskale, thithja e investimeve të huaja, etj.
Kryetari i Bashkisë shprehu angazhimin e tij të plotë për ta bërë Tiranën një nga qytetet më atraktive dhe më miqësore për investitorët, në rajon e më gjërë. Basha tha se administrata e drejtuar prej tij po studion praktikat dhe standardet më të mira perendimore, në mënyrë që biznesit dhe qytetareve t`u shërbehet sa me mirë, në një kohë të shkurtër dhe me kosto sa më të ulët.
Kryetari i Bashkisë i tha kongresmentit Peters se i fton investitoret amerikanë të bëhen pjesë e zhvillimit të qytetit të Tiranës, përmes angazhimit në realizimin e projekteve të mëdha publike që parashikon bashkia e Tiranës, apo duke shtrirë aktivitetin e tyre privat në Tiranë.
Kongresmeni Amerikan Gary Peters, shprehu vlerësimet e tij për projektet e Bashkisë dhe reformat e ndërmarra nga kryebashkiaku Basha. Ai shprehu angazhimin për të kontribuar në promovimin e Tiranës, potencialeve dhe mundesive që ofron ky qytet për vizitorët dhe investitorët amerikanë.