Basha pret rabinët, mbështetje për komunitetin hebre
Pas hapjes së sinagogës rabinike në kryeqytet, rabinët kërkojnë nga kryetari i bashkisë mbështetje për komunitetin hebre që jeton në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti dje një përfaqësi të rabinëve hebrej, duke ndarë me ta pikëpamjen e përbashkët për marrëdhëniet e veçanta dhe historike mes dy kombeve, si dhe për nevojën për të thelluar më tej këto raporte. Rabinët i kërkuan kryetarit të Bashkisë mbështetje për komunitetin hebre që jeton në Tiranë. Duke i siguruar se do të gjejnë mbështetje në Bashkinë e Tiranës, Basha u shpjegoi rabinëve harmoninë dhe marrëdhëniet e mira të komuniteteve fetare në kryeqytet dhe në Shqipëri. Kryetari i bashkisë tha se shqiptarët ndihen krenarë për rolin që kanë luajtur në histori, në kohë të mira dhe të vështira, për hebrejtë. Duke folur mbi marrëdhëniet historike, Basha tha se edhe kombi shqiptar ka vuajtur gjenocid dhe ditë të vështira, siç është rasti i Kosovës. Nga ana e tyre, rabinët e falënderuan z.Basha për pritjen dhe shprehjen e vullnetit për të ndihmuar komunitetin e tyre në Tiranë. Takimi i përfaqësuesve të komunitetit hebre me kryebashkiakun e Tiranës vjen në një kohë kur hebrejtë kanë hapur sinagogën e tyre në kryeqytet, duke kthyer kështu “sytë” seriozisht nga Shqipëria, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë streha më e sigurt e hebrejve të përndjekur nga nazizmi. Me qindra hebrej u mirëpritën dhe nuk u tradhtuan kurrë nga familjet mbajtëse. Por, me gjithë forcën e madhe për qëndresë, populli i shpërngulur nga Izraeli, i shpërndarë anë e kënd botës, jetoi gjithmonë në liri të kufizuar. Ndonëse Shqipëria përbënte rastin unik, kur asnjë hebre nuk u dorëzua, ata jetuan gjatë kësaj periudhe dhe më pas pa mundësinë për të mbajtur gjallë kulturën dhe ritualet e tyre të shenjta. Sot, kur në Shqipëri ekziston një komunitet fare i vogël i pasardhësve të të përndjekurve të luftës, rreth 30 familje, hebrejtë mund të kremtojnë në një institucion të tyrin dhe vetëm për ta. Në fund të vitit 2010 në Tiranë është hapur qendra e parë rabinike, institucion fetar ku hebrejtë mund të kryejnë në mënyrë të ligjëruar ritualet e tyre. Në këtë sinagogë mund të shkojnë të gjithë hebrejtë e vërtetë për të kryer ritet e tyre të gjithë bashkë. Autoritetet fetare izraelite kanë vendosur që Sinagoga Rabinike e Tiranës të jetë një qendër përfaqësuese për të gjithë komunitetin e hebrejve të Ballkanit. E meqenëse këtu nuk mund të gjendet një kryerabin, ai është deleguar nga Izraeli. Shqiptarët kanë luajtur një rol të madh në mbijetesën e hebrejve gjatë historisë së tyre të përndjekjes. Sot Shqipëria po kontribuon që ky komunitet të jetojë në legjitimitet me vlerat dhe ritualet e mohuara ndër shekuj.