Falimentimi i Greqisë hyn në axhendën zyrtare të Europës
Dyshimet mbi aftësinë e Athinës për të përmbushur kushtet për ndihmat e mëtejshme janë forcuar së fundmi. Në Gjermani diskutohet tani hapur për opsionin e një falimentimi të administruar të shtetit grek. Tabuja tashmë është thyer: deri tani brenda koalicionit qeverisës konservatoro-liberal në Gjermani vlente një linjë e vetme. Një falimentim shtetëror i Greqisë do të ishte i pamenaxhueshëm. Tani ministri gjerman i Ekonomisë dhe kryetari i Liberalëve (FDP), Philip Rösler, kërkon një plan B. Kjo do të thotë: në rast nevoje, një falimentim i administruar i Greqisë. "Për të stabilizuar euron, nuk mund të ketë më mendime të ndaluara. Këtu bën pjesë si pasojë e fundit edhe një falimentim i administruar, nëse dhe sapo të jenë në dispozicion instrumentet e nevojshme.“ Në këmbim, u shpreh Rösler në një artikull në gazetë, shtetet e falimentuara duhet të dorëzojnë eventualisht të drejtat e tyre të sovranitetit. Era ka ndryshuar drejtim. Pasi edhe Partia Kristiansociale bavareze është pozicionuar: Nëse Athina nuk është në gjendje ose nuk ka vullnetin të shlyejë borxhet e saj, duhet menduar për lejimin e një falimentimi të shtetit grek. Por disa politikanë kristiandemokratë janë të zemëruar me faktin që liberalët dhe kristiansocialët flasin tashmë hapur dhe publikisht për një falimentim shtetëror të Greqisë. Drejtuesi i punës së grupit parlamentar të Partisë Kristiandemokrate, Peter Altmeier, tërheq vëmendjen: një falimentim i Greqisë nuk mund të shtrohet për diskutim përballë nervozitetit aktual në tregjet e kapitalit. "Në rast të një falimentimi kostot do të rëndonin edhe mbi taksapaguesit, mbi fondin europian. Për këtë arsye unë them: duhet të mendohemi mirë, se ku përfundon rruga e nisur." Dhe kancelarja rikujton përmes zëdhënësit të saj: marrëveshjet e përbashkëta për euron nuk parashikojnë asnjë dalje të vullnetshme dhe asnjë dëbim nga eurozona. Edhe nëse krerët e qeverive do ta hapnin këtë rrugë, te vendet e eurozonës dhe te tregjet financiare mbetet frika e madhe ndaj një efekti domino. Kryetari i socialdemokratëve gjermanë, Sigmar Gabriel, nuk mendon se dalja e Greqisë nga eurozona do të zgjidhte të gjitha problemet: "Edhe nëse Greqia do të dilte nga eurozona, problemet nuk do të merrnin fund. Përkundrazi, në këtë rast tregjet financiare do të testonin: si është puna me Irlandën, me Portugalinë, me Spanjën? Dhe dikur edhe me Italinë. Kështu së shpejti euro do të mbetej në kufirin gjermano-francez.”