E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e Bundestagut gjerman vizitojnë UET

Dy përfaqësuesit e lartë të Bundestagut gjerman, Roderich Kiesewetter dhe Hans- Joachim Falenski, zhvilluan një diskutim të hapur, në lidhje me integrimin europian të Shqipërisë, me pedagogë dhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës. Pas takimeve me krerët e disa prej institucioneve më të larta të shtetit shqiptar dhe me përfaqësues të organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare në vend, delegacioni i Bundestagut gjerman, i përbërë nga z.Roderich Kiesewetter (deputet i CDU/ CSU dhe reporter i Grupit për Shqipërinë në Bundestagun Gjerman) dhe z.Hans–Joachim Falenski (këshilltar për politikën e jashtme pranë fraksionit CDU/ CSU në Bundestagun Gjerman) zhvilloi dje një diskutim të hapur në lidhje me integrimin europian të Shqipërisë me pedagogë dhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës. Sipas z.Kiesewetter, ishte më mirë që të zhvillohej një komunikim i hapur dhe miqësor sesa të bëheshin deklarata zyrtare. Gjatë karrierës së tij të gjatë si politikan ai e ka vënë gjithmonë theksin te roli i rinisë në proceset integruese në BE. Presidentja e UET-it, Dr.Teuta Dobi, vlerësoi prezencën e dy përfaqësuesve të lartë të Bundestagut gjerman dhe theksoi kontributin publik të UET-it si dhe rolin aktiv të pedagogëve të tij, sidomos në botime dhe kërkimin shkencor. Debati u zhvillua rreth temave dhe problematikave që u interesonin më shumë të pranishmëve, duke filluar që nga roli dhe qëndrimi që do të mbajë Gjermania ndaj dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në BE, si dhe zhvillimeve politike të brendshme dhe arritjes së një konsensusi politik midis palëve. Z.Kiesewetter u shpreh shumë skeptik në lidhje me dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, për shkak të bllokimit politik gjatë viteve të fundit. Sipas tij, BE e mbështet shumë analizën e saj politike në punën e kryer nga Parlamenti dhe nga përfaqësimi i partive politike aty, por komisionet parlamentare duhet të punojnë për kalimin e ligjeve dhe arritjen e një konsensusi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›