Pasiguria ekonomike, OPEC ul prodhimin e naftës
Organizata e vendeve eksportuese të naftës ka reduktuar sërish parashikimet mbi kërkesën përgjatë këtij viti. Sipas OPEC, pasiguritë mbi të ardhmen e ekonomisë botërore dhe tensionet e vazhdueshme të tregjeve do të ndikojnë drejtpërdrejt mbi konsumin e naftës, duke e çuar atë në më pak se 88 milionë fuçi naftë në ditë. Ndërsa për vitin e ardhshëm OPEC vlerëson se kërkesa do të jetë edhe më e ulët. Sipas kartelit, kërkesa do të vijojë të rritet përgjatë 2011-ës me 1,06 milionë fuçi nafte në ditë, por do të ndalet në 87,99 milionë fuçi kundrejt parashikimeve të mëparshme me 88,14 milionë fuçi në ditë. Sipas OPEC, bëhet fjalë për një reduktim të konsumit të naftës me 150 mijë fuçi ndaj pritjeve. Në muajin gusht organizata e vendeve eksportuese të naftës i uli parashikimet për këtë vit me 150 mijë fuçi nafte në ditë. OPEC, ndër të tjera, ka shkurtuar me 40 mijë fuçi në ditë pritjet mbi rritjen e kërkesës për naftë në vitin e ardhshëm, duke e çuar totalin me 1,27 milionë fuçi naftë në ditë.