E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti miraton ndryshimet në ligjin për infermierët

Urdhri i Infermierit nxjerr rregullat që duhet të zbatohen për Provimin e Shtetit nga profesionistët e kujdeseve shëndetësore

Parlamenti miraton amendimet e propozuara nga Urdhri i Infermierit, për ligjin e vjetër që rregullon funksionimin e këtij organizmi, i miratuar në vitin 2007. Kështu, sipas këtyre ndryshimeve të reja, të debatuara nga edhe deputetët në seancën e djeshme plenare, në kategorinë e profesionistëve të shëndetësisë që mbulohen nga Urdhri i Infermierit tashmë përfshihen edhe teknikët e laboratorëve të të gjitha llojeve, imazheristët dhe logopedistët, përveç infermierëve, mamive dhe fizioterapistëve që kanë qenë deri tani. Në këtë mënyrë është siguruar përfshirja e të gjithë profesionistëve. Ndërkaq, një amendim tjetër është edhe ai që përfshin 21 anëtarë në Këshillin Kombëtar të UISH-së (nga 17 ekzistues në ligjin e tanishëm), mes tyre edhe 2 anëtarë nga shoqatat e pacientëve, duke bërë në këtë mënyrë që të dëgjohet edhe zëri i pacientëve. “Kjo tregon për demokratizimin e mëtejshëm që po i bëhet funksionimit të institucionit tonë”, - shprehet lidhur me këto amendime presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi. Ai shton gjithashtu se të përfshirë do të jenë edhe përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve, duke bërë që në këtë kuadër të jenë të kompletuar të gjitha grupet e interesit. Ndryshimet në ligjin për UISH-në janë vlerësuar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka theksuar se ato përbëjnë një hap pozitiv dhe të mirëpritur. Sipas ministrit Vasili, ato e bëjnë Urdhrin e Infermierit një aktor edhe më aktiv në sektorin e shëndetësisë. Nga ana tjetër, Urdhri i Infermierit bën me dije se në zbatim të ligjit “Për profesionet e rregulluara” do të regjistrojë të gjithë profesionistët e kujdesit shëndetësor (të përfshirë në statusin e tij) që do të japin Provimin e Shtetit, që cilësohet si një fazë e detyrueshme për t’u zbatuar prej tyre. “I njoftojmë ata që të interesohen për plotësimin e dokumentacionit përkatës që të japin më pas provimin. Vetëm ata që kalojnë në Provimin e Shtetit, mund të licencohen dhe të punojnë si infermierë në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa të gjithë ata që rrëzohen në këtë provim, do të jenë të detyruar të punojnë vetëm si praktikantë me mbikëqyrje. Ndërsa në ato institucione ku punojnë infermierë të diplomuar gjatë viteve 2011-2012, përbën shkelje ligji. Ata duhet të realizojnë Provim Shteti, por edhe praktikë”, - sqaron Skënderi. Shumë profesione të fushës së mjekësisë, si teknik laboratori, teknik imazherie, logopedist, të cilët diplomohen në fakultetet e infermierisë të universiteteve publike apo private, apo profesione të veçanta të mjekësisë, që kanë fituar një diplomë të nivelit të mesëm dhe që përbëjnë 83% të ofruesve të kujdesit infermieror, në institucionet shëndetësore publike janë lënë jashtë juridiksionit të Urdhrit të Infermierit, duke u bërë pengesë për marrjen e certifikatës të së drejtës së ushtrimit të profesionit. Me qëllim që profesioneve të tilla t’u jepet mundësia për të marrë lejen e ushtrimit të profesionit, të drejtën e lëshimit të të cilave e kanë urdhrat e profesionistëve, u pa e nevojshme që këto profesione të përfshihen në ligjin “Për Urdhrin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas ndryshimeve të bëra në ligj, në kategorinë e profesionistëve të shëndetësisë, që mbulohen nga Urdhri i Infermierit, përveç infermierëve, mamive dhe fizioterapistëve që kanë qenë, tashmë përfshihen edhe teknikët e laboratorëve të të gjitha llojeve, imazheristët dhe logopedistët

Dokumentet e regjistrimit

-Kërkesa me shkrim

-Formulari i aplikimit

-Fotokopje e letërnjoftimit

-Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare, e kërkuar nga autoriteti kompetent për profesionin respektiv

-Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës, e lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë

-Dëshmia e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (ose fotokopje e noterizuar e saj), e lëshuar nga UP-ja ose në mungesë të UP-së, nga autoriteti kompetent për kryerjen e praktikës, ku përcaktohet edhe kohëzgjatja. Për kandidatët e programeve të studimeve në mjekësi, stomatologji, farmaci, infermieri, mami dhe fizioterapi kërkohet edhe dëshmia e kursit të ndihmës së shpejtë.

-Raporti mjeko-ligjor

-Dëshmi penaliteti.

-Vërtetim nga Prokuroria që nuk është në ndjekje penale

-Fatura e pagesës për provimin e shtetit

-Dy fotografi të formatit të pasaportës

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›