E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Është vendosur liberalizimi i vizave

01/06/2010 Janë plotësuar detyrimet, afatet për të plotësuar qarkullimin e lirë

Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha është shprehur mjaft i sigurt për heqjen e vizave për Shqipërinë, por dhe për vendet e tjera të përfshira në këtë proces. Në debatin televiziv në emisionin “Opinion” ai është shprehur se edhe pse popullata e Bashkimit Evropian është kundër liberalizimit të vizave për shkak të situatës ekonomike në këto vende apo dhe perceptimit të krijuar, Komisioni Evropian ka miratuar në strukturat më të larta vendimit për liberalizimin e vizave. Ndërkohë ai është shprehur se në datën 3 qershor do të jetë hapi i radhës në miratimin e liberalizimit për të marrë vendimin përfundimtar në fillim të muajit tetor ose maksimalisht në mbledhjen e radhës së nëntorit. Sipas tij, kjo do të thotë se në muajin tetor ose nëntor shqiptarët do të kenë të drejtën e qarkullimit të lirë në vendet e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër Basha është shprehur se, edhe pse diplomatët evropianë pranojnë një ngërç politik, kjo nuk do të ndikojë në heqjen e vizave, pasi mazhoranca i ka garantuar opozitës hapësirat për të vepruar. Gjithsesi, liberalizimi i vizave do të jetë i kushtëzuar prej kritereve të sigurisë, por Basha ka nënvizuar se detyrimet janë plotësuar dhe se raporterët e BE-së, që mbërrijnë në Shqipëri në muajin korrik, do t’i gjejnë detyrimet të plotësuara. Sipas procedurave, lëvizja e lirë nuk përfshin qëndrimin e përhershëm në vendet e BE-së, por vetëm 90 ditë dhe pa të drejtë punësimi.

Ndërkohë Basha ka saktësuar se, nëse një person qëndron më shumë se 90 ditë në një shtet të BE-së, ai do të përjashtohet për 5 vjet nga qarkullimi në BE. Por kjo varet mjaft nga sjellja e policisë së shteteve përkatëse, që kanë të drejtën e përjashtimit nga rregulli. Nga ana tjetër, Basha ka theksuar se ndjesa e Ramës ishte e turpshme, pasi ai e ka dërguar kërkesën për liberalizimin e vizave një ditë pasi vendimi ishte marrë. Pra, për Bashën letra e tij ishte false. Ndërkohë ministri i Brendshëm është shprehur edhe një herë se greva e urisë e PS-së kishte si qëllim të vetëm bllokimin e liberalizimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›