E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha takime në Librazhd

Librazhd -Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, njëkohësisht kryetar i grupit të punës së PD-së në qarkun e Elbasanit, ka deklaruar gjatë një takimi në Librazhd se "qeveria e djathtë do të ecë e sigurt për t’i çuar shqiptarët pa viza në Evropë dhe për t'i integruar ata si qytetarë të plotë të saj". I pranishëm në kuvendin e 9-të të PD-së, dega Librazhd që u zhvillua të enjten, z. Basha u ndal në arritjet e qeverisë së djathtë gjatë këtyre katër viteve në pushtet. "Tre vjet dhe tetë muaj më parë nisi rrugëtimin maxhoranca aktuale më e suksesshme ndonjëherë në historinë e Shqipërisë", tha ministri Basha.

Ai kujtoi se mbi shpresën e besimin, nga Vermoshi në Konispol, nga Korça në Elbasan, PD ndezi fushatën fitimtare të korrikut të vitit 2005, "dhe tashmë i kemi shndërruar premtimet tona elektorale në një godinë të konsoliduar që quhet Republika e Shqipërisë, anëtare me të drejta të plota të NATO-s".

Sot, vijoi z. Basha, ne dalim përpara shqiptarëve me një bilanc të plotë të konsoliduar, që na bën ta mbajmë ballin lartë e t'i hedhim sytë tek flamuri ynë kombëtar që valëvitetet krahë për krahë me flamujt e vendeve anëtare të NATO-s dhe kjo, sipas tij, është arritje e çdo shqiptari e çdo demokrati.

Ministri Basha i argumentoi këto arritje me vullnetin politik të maxhorancës dhe kryetarit të PD-së Sali Berisha, që vetëm me reforma rikthehu besimin tek qytetarët shqiptarë.

Duke folur për projektet e realizuara gjatë këtij mandati, Basha veçoi rikonstruksionin apo ndërtimin e mbi 1850 kilometra rrugë kombëtare dhe mijëra e mijëra të tjera rurale, ndërtimin e mbi 600 ujësjellësave, të mbi 900 shkollave, të mbi 400 kanalizimeve, rritjen e rrogave të arsimtarëve në 60 për qind, rritjen e rrogave të mjekëve, etj.

Në punimet e Kuvendit të 9-të të PD-së në Librazhd ishin të pranishëm dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku dhe zv/ ministri i Arsimit Halit Shamata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›