E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha takon kreun e Presidencës së BE: Shqyrtim të shpejtë të aplikimit

Dubrovnik, 11 Korrik NOA Foto update Një takim i posaçëm është zhvilluar mes ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, dhe homologut të tij të Suedisë, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së, z. Carl Bildt.

Bashkëbiseduesit vlerësuan procesin zgjedhor si një test i maturisë së klasës politike në Shqipëri.

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë Carl Bildt, siguroi z. Basha se presidenca suedeze do të mbështesë shqyrtimin sa më parë të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar në BE.

Gjithashtu, ai u shpreh se Suedia mbështet përmbylljen pa vonesë të procesit të liberalizimit të vizave në zonën Shengen për shtetasit shqiptarë.

Basha tha për agjencinë e lajmeve NOA pas takimit, se informoi z.Bild për procesin e formimit të koalicionit të ri qeverisës dhe objektivin e tij themelor, integrimin evropian të vendit.

Në këtë kuadër z.Basha deklaroi se ai rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur përpara me të gjitha reformat e domosdoshme për integrimin evropian të vendit.

Po ashtu, z.Basha u takua edhe me z. Robert Kuper, Drejtor i Përgjithshëm në Sekretariatin e Këshillit Evropian, ku e informoi rreth ecurisë së procesit zgjedhor në Shqipëri.

Basha mori pjesë në Samitin e Dubrovnikut Imperativet strategjikë të Evropës: Energjia, Investimet dhe Zhvillimi.

Në këtë Samit, të organizuar nga Qeveria e Kroacisë në bashkëpunim me qeverinë e Suedisë, vend që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, merrnin pjesë kryeministra, ministra të punëve të jashtme dhe zyrtarë të lartë të rajonit të vendeve anëtare të BE-së, të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, NATO-s, etj.

Temat kryesore të këtij Samiti ishin perspektiva euro-atlantike e Ballkanit Perëndimor, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal dhe i bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjisë, ambientit, etj.

Gjatë punimeve të Samitit, Ministri Basha u takua dhe bisedoi dhe me një numër të madh homologësh dhe zyrtarësh të lartë të pranishëm në Samit, si ministrat e jashtëm të Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, zv.Sekretarin amerikan të Shtetit Steinberg, Sekretarin e Shteti të Kanadasë, Keddy,  kryeministrat e Kroacisë, Kosovës dhe Malit të Zi, të cilët shprehën urimet dhe konsideratat e tyre për procesin zgjedhor në Shqipëri dhe fitoren e koalicionit të udhëhequr nga Kryeministri Berisha.

e.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›