Associated Press publikon pjesë të raportit OSBE/ODIHR për zgjedhjet
Zbulohen pjesë të raporti të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 28 qershorit. Detajet janë publikuar nga Associated Press. Sipas një artikulli të publikuar nga kjo agjenci, ndërhyrjet politike kanë shkaktuar vonesa në numërimin e votave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Mosbesimi që ekzistonte mes forcave politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet e administrimit të zgjedhjeve çuan në tejzgjatje të procesit, citon AP një burim nga misioni i vëzhguesve të OSBE.
AP nënvizon më tej se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht po merr në shqyrtim ankimimet e forcave politike përpara se të shpallë zyrtarisht rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Sipas artikullit të botuar nga kjo agjenci vëzhguesit kanë vërejtur probleme proceduriale si pasojë e mungesës së trajnimit të pamjaftueshëm të komisionerëve dhe kritikojnë KQZ për nivel të ngadaltë administrimi dhe menaxhim të papajtueshëm të ankimimeve. Në reagimin e tyre të parë për zgjedhjet e 28 qershorit, vëzhguesit u shprehen se edhe pse në këto zgjedhje u vunë re përmirësime mbetej përsëri e nevojshme progresi i mëtejshëm për arritjen e standardeve ndërkombëtare, përfshi këtu dhënin fund të votimit familjar dhe polarizimin e klimës politike. Rreth 500 vëzhgues ndërkombëtar monitoruan nga afër procesin zgjedhor, të konsideruar si një test i rëndësishëm për progresin e demokracisë në vend. Nga rezultatet paraprake koalicioni i djathtë Aleanca për ndryshim fitoi 47.99% të votave ndërsa koalicioni i majtë Bashkimi për ndryshim 44.31% të votave dhe LSI 5.48% të votave.