E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Mandati i 9, test për procesin zgjedhor

Në një moment të tillë, kur 12 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme nuk është konfiguruar zyrtarisht as maxhoranca dhe as opozita, një nga eksponentët kryesorë të Partisë Socialiste, Arben Malaj bën publike prioritetet e socialistëve. Situata aktuale duket e mbingarkuar e megjithatë Partia Socialiste duket e vendosur që procesi i numërimit të përfundojë me drejtësi. Megjithatë ne kemi ngelur në Bruksel, ndërkohë që kryeministri në vend që të përurojë rrugën drejt Evropës, shkon në Shkozet për të përuruar rrugë rurale, u shpreh Malaj, duke kritikuar përurimet e fundit të kryeministrit Berisha në Durrës. Ndërkaq, lidhur me mandati e 9 të Fierit që pretendon të merret nga Partia Socialiste, Malaj u shpreh se ai  nuk është provokim por një test i qartë për procesin zgjedhor, i cili sipas tij nuk duhet të marrë kosto shtesë në dëm të integrimit të vendit. Por fokusi i PS, sipas Malajt mbetet edhe koalicioni Berisha-Meta, për të cilin ai thotë se për aq kohë sa rezultati i zgjedhjeve nuk është shpallur dhe maxhoranca mund të mbetet me 72 mandate apo opozita të kalojë me 68 mandate ky koalicion nuk plotëson dot qëllimin për të cilin u krijua, atë të integrimit të Shqipërisë. Në fokusin e analizës së Partisë Socialiste, në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit mbetet edhe pozicionimi i PS, përballë aleatëve, si dhe një këndvështrim i ri i aleancave. Zhvillimet nuk duhet të jenë përplasje individësh, por duhet të jenë pjesë e përgjegjësive që ne do të përballojmë dhe si do të arrijmë të ndërtojmë kredibilitetin për partnerëve tanë në koalicion, u shpreh Malaj. Ndërsa lidhur me zërat për nxjerrje përgjegjësish për rezultatin e zgjedhjeve, duket se në Partinë Socialiste, në këto momente nuk është prioritet i socialisteve. Sipas tyre, procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar, dhe PS ende nuk e di nëse duhet të pozicionohet si opozitë përballë një maxhorance me vlera numerike. Kështu, në këtë pikë, PS duket se do të diskutojë vetëm në fillim të gushtit, kohë kjo që është përcaktuar nga KQZ, si momenti kur mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare 2009.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›