E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kërcënon me protesta popullore dhe bllokim të KQZ

Kryesocialisti vazhdon justifikimet për humbjen e zgjedhjeve
Vazhdon histeria e socialistëve për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, duke kërcënuar me protesta masive në rrugë. Edhe gjatë ditës së djeshme, drejtuesit socialistë me në krye Ramën, janë kapur pas mandatit të 9-të të Fierit, preteksti i vetëm që u ka mbetur për të mos pranuar humbjen e këtyre zgjedhjeve dhe dështimin si forcë politike. Jo më larg se dje, kreu i të majtës ka paralajmëruar sërish protesta masive, të cilat sipas tij do të organizohen për të treguar se e majta nuk do ti njohë zgjedhjet. Duke iu drejtuar Berishës, kreu socialist ka ripërsëritur publikisht se protestat në rrugë do të jenë për të kryefjala e tij për rezultatin e zgjedhjeve. Mos prekni mandatin e 9-të të socialistëve në Fier, sepse do të përballeni jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe me reagimin e merituar të popullit të Fierit e të gjithë Shqipërisë. Ne nuk e lëshojmë mandatin e 9-të të Fierit me asnjë çmim dhe nuk tërhiqemi nga zbardhja deri në fund e krimit elektoral të 28 qershorit për asnjë arsye, është shprehur dje Rama, duke bërë të qartë se krizën e tij histerike 2 javore në tentativë për të justifikuar veten para socialistëve dhe elektoratit të majtë, doktor që ta kurojë, se për ta shëruar as që mund të mendohet. Deklarata e Ramës, por dhe ajo e Xhafajt dhe Malajt ka ndezur edhe përfaqësuesit socialistë të KQZ, të cilët janë ndier të ofenduar nga kreu i KQZ, Arben Ristani, gjatë diskutimit për miratimin e mandateve të Dibrës. Përfaqësuesit socialistë në KQZ nuk kanë pranuar fillimisht që të miratojnë mandatin e PD, i fituar nga kryebashkiaku i Dibrës, Bedri Hoxha. Gjatë debatit në këtë pikë, Ristani u është drejtuar socialistëve se me këtë që po mbajnë, kanë si synim të bëjnë pis procesin zgjedhor, ky i fundit i cilësuar nga të gjithë si pozitiv. Ka mjaftuar kjo vërejtje e Ristanit, që PS të paralajmërojë braktisjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si reagim ndaj sjelljes së kreut të këtij institucioni. Të gjithë ata që kanë ndjekur sot KQZ, kanë mundur të shohin dhe dëgjojnë sjelljen dhe gjuhën rrugaçërore të kryetarit të KQZ Arben Ristani, në adresë të Partisë Socialiste. PS e dënon publikisht këtë KQZ të kthyer në një vegël qorre të pushtetit të Sali Berishës dhe paralajmëron braktisjen e tij, në rast se zoti Ristani do ta përsërisë këtë turp të pashembullt që bëri, ka bërë të ditur në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PS, Armela Imeraj. Por gjatë kësaj deklarate kundër sjelljes dhe gjuhës së kreut të KQZ ndaj PS, duhet thënë se kësaj të fundit nuk i kanë munguar në vetvete nuancat dhe ngjyrat e një fjalori jo fort të rregullt që mund të përdorë një institucion zyrtar ndaj kreut të një tjetër institucioni, siç është në rastin konkret Ristani. Ky zotëri i dënuar dikur me burg për marrje ryshfeti dhe sot i kthyer në gardian të burgut ku Sali Berisha kërkon të kyçë të vërtetën e 28 qershorit, është fytyra e këtyre zgjedhjeve të damkosura me turpin e mungesës së plotë të standardeve, u shpreh zëdhënësja Imeraj, gjatë deklaratës së saj nëpërmjet të cilës dënonte fjalorin e kreut të KQZ, Ristani.   
Rama nxit tension për të mos u larguar nga PS
Largimi i Ramës nga drejtimi i PS është bërë çështje dite brenda strukturave të kësaj partie. Pjesa më e madhe e socialistëve nuk duan ta shohin më në PS, por kryeneçësia e tij lidhur me drejtimin e PS, u ka lënë vetëm një mundësi socialistëve. Përzënia me dhunë nga ambientet e selisë rozë. Edhe pse tashmë Rama e ka kuptuar se ishte i vetmi shkaktar i humbjes së zgjedhjeve, ai jo vetëm që nuk pranon të dorëhiqet, por madje po bën çdo lloj përpjekjeje për të qëndruar ende në krye të PS. Në PS tashmë duket se po kristalizohen 2 rryma. Njëra kundër Ramës dhe tjetra pro tij.  Por tensioni që po i krijojnë socialistët kundër, po i shkaktojnë gjithnjë e më shumë kriza histerie Ramës, i cili tashmë nuk po lë vend pa i vënë në dukje. Protestat e paralajmëruara prej tij që prej disa ditësh, janë shembulli më i mirë që tregon se Rama ka humbur gjithçka në politikë dhe dëshira e vetme e cila nuk ka shumë shanse që ti realizohet, duket se është destabilizimi i vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›