E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha:Projekti për Tiranën, prioritete të punës

Kandidiati i “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha është rikthyer në lagjen ku ai lindi dhe u rrit. Gjatë fjalës së mbajtur para banorëve të njësisë bashkiake numër 8 në Tiranë, Basha e ka cilësuar këtë moment, një nga emocionuesit, pasi kjo lagje e lidh me kujtime të fëmijërisë së tij. Për këtë arsye, Basha tha se projekti për Tiranën dhe banorët e kryeqytetit mbeten prioritete të punës së tij, për ta bërë Tiranën moderne dhe evropiane. Kështu gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar të njësisë bashkiake numër 8, Arben Tafaj, Lulzim Basha ka shpalosur disa nga pikat më kyçe të projektit të tij për ndryshimin e Tiranës.
 

Një nga problemet më të mëdha në Tiranë është edhe furnizimi me ujë, dhe kanalizimet e ujërave të zeza, tha Basha. Ndryshe nga kryebashkiaku aktual i cili prej dy vitesh refuzon të marrë pergjegjësinë e administrimit të ujësjellës-kanalizimeve, Basha garantoi se akti i tij i parë në krye të këtij insititucioni do të jetë marrja në administrim e ujësjellës-kanalizimeve.
 

"Unë do të vë në tre muajt e parë në lëvizje, projektin që vetë e negociova në 2006 si ministër i Transporteve, të ujësjellës-kanalizimeve, 100 milionë euro për të gjithë Tiranën", tha Basha.
 

Ai garantoi banorët e Tiranës se do ti jepet fund njëherë e përgjithmonë praktikës së pagimit të taksave dhe mungesës së shërbimeve nga Bashkia. Gjithashtu kandidati demokrat tha se pronarëve autoktonë do ti jepte mundësinë të zhvillojë pronën e tij me koeficentin më të lartë të mundshëm të zhvillimit. Kandidati i “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e kryeqytetit po vijon turin e tij të takimeve me banorët e kryeqytetit , duke prezantuar në çdo njësi, kandidatë për kryetar njësie si edhe projektin e tij për zhvillimin e Tiranës.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›