E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkë me komisionin e reformës zgjedhore, edhe një strukturë parlamentare për reformën në drejtësi

Partia Socialiste është shprehur dje e gatshme për të nisur nga puna gjatë kësaj jave, komisionin ad hoc për ndryshimet në kodin zgjedhor, projekt që synohet të realizohet brenda këtij sesioni parlamentar. Deputeti socialist dhe njëherazi bashkëkryetari për reformën në sistemin zgjedhor, Katriot Islami, deklaroi dje se “pranë PS është duke punuar një grup i gjërë ekspertësh të cilët kanë përfunduar një draft paraprak të Kodit Zgjedhor ose të atyre çka ne mendojmë se duhet të ndryshojnë në ligjin aktual”. Hedhja e piketave kryesore për Kodit Zgjedhor për PS ka një arsye të fortë. “Jemi në limitet e fundit. Në shtator Kodi duhet që të jetë gati, duhet të miratohet brenda këtij sezoni. Vonesa në kohë mund të verë në pikëpyetje proçesin e ardhshëm elektoral. Pasi ka disa afate kur duhet që të fillojë puna për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme”, deklaroi Xhafa. Por reforma zgjedhore ka mjaft elementë për të cilat PS-ja ka vendosur që të mos tolerojë. “Po aq e rëndësishme është çështja e kartave të reja të identitetit apo rregjistrit themeltar të cilat janë pjesë e së tërës te cilat pa ndonjë nga këto elementë i gjithë proçesi do të vihej në dyshim”, tha Xhafa. Dy drejtuesit e grupeve kuvendore më të mëdha në kuvend, Patozi dhe Leskaj shprehen gjatë javës që shkoi, gatishmëri për nisjen menjëherë nga puna për hartimin e Kodit Zgjedhor. Gjatë kësaj jave, pritet edhe të jetë pikënisja e një proçesi mjaft të rëndësishëm për demokracinë, ai i reformës zgjedhore. Me miratimin në kuvend të ndryshimeve Kushtetuese që nga data 21 prill, ndryshime që prekën edhe sistemin zgjedhor, duke kaluar nga sistemi mazhoritaro-proporcional drejt atij proporcional rajonal, tani mbetet që finalizimi përfundimtar i kësaj reforme të kalohet me ndryshimet në kodin zgjedhor. Propozimi i PS-së i ngritjes së një komisioni ad hoc për të bërë ndryshimet e duhura. Gjithashtu parashikohet që brenda këtij sesioni parlamentar, pra brenda sezonit të verës, të përfundojnë edhe ndryshimet në kodin zgjedhor. Kjo do të mundësonte një periudhë të mjaftueshme kohore për të filluar pregatitjet e duhura për realizimin e zgjedhjeve, të lira dhe të ndershme, që do të plotësonin edhe standardet e duhura ndërkombëtare, në monitorimin e proçesit zgjedhor.
Patozi: Duhet të fillojmë nga puna për reformën zgjedhore dhe atë të drejtësisë/Reforma zgjedhore dhe ajo në sistemin e drejtësisë, mbeten dy kushtet kryesore në kapitullin e korpusit të reformave në vend, për të cilat mazhoranca shpreh gatishmërinë për avancimin e punës. Në këtë aspekt, ndonëse reforma në sistemin e drejtësisë nuk njeh kushte të mituara kohore, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për atë në sistemin zgjedhor. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje se Partia Demokratike dhe mazhoranca janë të gatshme të fillojnë punën për reformën në Kodin Zgjedhor dhe atë në drejtësi. Patozi nënvizoi se maxhoranca është gati për fillimin e punës së një komisioni të posaçëm për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai shtoi se vonesat e deritanishme për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk kanë ardhur si rezultat i neglizhencës së partisë së PD-së. “Shumica parlamentare ka qenë e hapur për diskutimin e amendimeve në Kodin Zgjedhor, qoftë në Komisionin e Ligjeve, qoftë në një komision të posaçëm”, theksoi z. Patozi, duke nënvizuar se vonesat kanë ardhur nga mëdyshja dhe inferioriteti i opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PD-së siguroi se pavarësisht axhendës së Kuvendit, shumica ka si prioritet kryesor vijimin e punës për realizimin e këtyre dy reformave. Partia Demokratike, në vijim të realizimit të reformave kryesore në vend, gjithmoën është shprehur e gatshme për të vijuar bashkëpuinimin me përfaqësuesit e opozitës, por këta të fundit të ndodhur ne hollitë e konflikteteve dhe përplasjeve të brendshme nuk kanë qenë në gjendje të hartojnë draftet për çështjen përkatëse që madje i është besuar pjesës së opozitës që të hedhë hapin e parë që nga ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe deri në ndryshimet përkatëse të kodit elektoral. Por, kjo fjetje e Partisë Socialiste ka bërë që Partia Demokratike të kërkojnë me ngulm finalizmin e menjëhershëm të reformës në sistemin elektoral dhe pa humbur kohë. Patozi vuri në dukje se mazhoranca do të shohë me imtësi të gjitha lëvizjet e mundshme parlamentare për të përcaktuar në axhendën e Kuvendit prioritet kryesore për vijimin e punës për realizimin e reformës zgjedhor dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Dy ditë më parë, Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj propozoi, gjatë një konference për shtyp, ngritjen e një komisioni të posaçëm për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Leskaj tha se “PS po punon me një grup ekspertësh, për hartimin e një drafti për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, draft ky i cili do të jetë i hapur për t’u diskutuar me të gjitha forcat politike”. Ndërsa përsa i takon reformës në sistemin e drejtësisë, të dy ekipet partiake janë shprehur për bashkëpunim të gjithashëm dhe të hapur. Pasi është miratuar ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor, komisioni i ligjeve ka filluar nga puna për shqyrtimin e ligjit për administrimin e gjyqësorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›