E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur glorifikohet mediokriteti dhe banaliteti

Kur dikur propaganda komuniste trumbetonte se “në botën e kapitalit, televizionet dhe shtypi i largohen problemeve themelore që shqetësojnë shoqërinë...”, antikomunistët dhe antikonformistët nuk i merrnin seriozisht këto sulme dhe i kundërshtonin nën zë apo hapur nëpër rrethe të besueshme. Madje, nisur nga fshehja e qëllimtë e problemeve që bënte vetë shoqëria komuniste, shteti dhe diktatura, thjesht dhe vetëm për të ruajtur imazhin e regjimit, sikundër ishin ato në fushën e moralit të zvetënuar, sidomos në Bllokun komunist të orgjive të përfolura gjerësisht dhe reale; të akuzave të pabazuara për grupe armiqësore në udhëheqjen e PPSH-së, teksa të gjithë banditët punistë mendonin njësoj dhe as që e kishin ndërmendur ndonjëherë t’i dilnin kundër partisë dhe udhëheqësit të saj, që i kish marrë ata nga ferrat dhe i kish bërë të parët e vendit; të krijimit të pseudopsikozave se “armiqtë duan të na marrin sekretet” dhe se “po na sabotojnë...”, në modelin e të gjorit “Gjon Vushaj”, që kish “shkurtuar rezistencën...” për të sabotuar prodhimin në furrënaltë, gjë të cilën e zbuloi vigjilenca e komunistëve; apo agjentët e tipit të Sami Amenit tek filmi “Fije që priten”, që kishin ardhur nga jashtë për të vjedhur shpikjet dhe patentat teknologjike që bëheshin në fabrikën që prodhonte teneqe e që ish blerë po në vendin nga vinte spiuni Sami..., e të tjera gjepura...
Por kohëtendenca e marrinave që ekzaltonin vetëm popullin kinez, (i cili shënonte rekorde “Ginnes” në ndjekjen në shifra qindra milionëshe të filmave shqiptarë, si më të preferuarit atje të filmave me temë socrealiste), në tokën shqiptare shpërblehej me po të njëjtat marrina, teksa televizioni ynë shtetëror i kohës së shokut Thanas jepte filmin e shquar kinez, që në qendër të konfliktit të subjektit kishte veprën e sofistikuar kriminale të ish guomindanasit karrocier të kooperativës, të kamufluar në një fshat të thellë të provincës së Taxhait, i cili duke i shpëtuar vigjilencës revolucionare të rinisë alla-kuqo-gardiste dhe komunistëve të fshatit, e paskësh mësuar kalin e karrocës me huqe. Konkretisht e kish mësuar me huqin që të ngrihej në dy këmbët e para në kthesën “x” të rrugës e të përmbyste karrocën me gjithë prodhime bujqësore, me synimin që, sikurse thuhej në skenar, “ta çonte karrocën e kooperativës komuniste në rrugën kapitaliste... të Guomindanit dhe Çan Kai Shisë, të cilët me të tillë bashkëpunëtorë armiq donin të sabotonin revolucionin dhe kolektivizimin maoist në fshatin socialist kinez”.
Gjithsesi shqiptarët nuk ishin kaq të trashë saç i pandehnin merhumët e pashkolluar të majës së diktaturës, sa të afeksionoheshin pas filmave qesharakë kinezë, apo pas baletit pa sens “detashmenti i kuq i grave...”, e të tjera idiotllëqeve që u shiteshin spektatorëve si kryevepra të artit socrealist me partishmëri, etj..
Dhe jo fare rastësisht, bash në këto kohëra, artistë të guximshëm nxorën bash në qytetin që e drejtonte si kryepartiak injoranti Xhemal, skeçin e “Xhemal katunarit”, të cilin e kishin marrë nga fshati dhe e kishin bërë udhëheqës të qytetit kryqendër të rrethit, e që, pasi kunati parazit e shante mbarë e mbrapsht dhe i uronte “ah mor katunari Xhemal, që ma more motrën, rafsh m’naj kanal”, më vonë mburresh para atyre që i kërkonin të punonte, se ishte “kunati i shokut Xhemal”. Dhe partia ishte e detyruar, bashkë me Xhemalin e Komitetit të Partisë së rrethit, që të bënte qorrin dhe shurdhin për talljen publike në estradën e qytetit antikomunist verior, ku aludohej hapur për katunarët në krye të degëve në rrethe të partisë komuniste në pushtet.
Por për fat të keq erdhi një kohë tjetër, teksa afro dy dekada më pas, në mediat tona private jepen vetëm emisione me idiotë që mbyllen në kafaze dhe llomotisin gjepura gjithë ditën e ditës, për javë të tëra, pas të cilave bëhen VIP-a, u nënshtrohen votimeve popullore elektronike dhe marrin shpërblime të majme kur i shpëtojnë seleksionimeve fundore.
Kësisoj mbillet mediokriteti, sharlatanizmi dhe kafshëria publike dhe shpenzohen me miliona euro për do injorantë që shëmtojnë dhe fyejnë racën njerëzore, duke arritur deri në shpenzime marramendëse që kapin shifra deri në 3 milionë euro për një spektakël të tillë.
Por nuk mund të lihen në harresë edhe spektakle të një lloji të përafërt, ku drejtuesi i pseudoarsimuar i një emisioni, nga fillimi e deri në fund bën pyetje fyese që meritojnë pullë të kuqe, ndaj do shkarravinave prostituta publike që mbahen për artistë, ndonëse ky garë emisioni arrin shikueshmëri me shifra marramendëse.
Kjo është edhe arsyeja përse morali ynë publik dhe shijet tona kanë rënë kaq poshtë dhe po rrënohen qëllimisht nga monstruozitete dhe programe të tilla, tek të cilat Prokuroria zbulon aktivizimin e prostitutave, viktima dhe tutore njëkohësisht, e që brenda një kohe të shkurtër janë bërë VIP-a me “imunitet” të siguruar nga një publik të cilin qëllimisht e poshtërojnë në inteligjencë, shije dhe kulturë, me po të njëjtën skemë të shpëlarjes së truve si në diktaturë, teksa e ushqejnë tashmë jo me gjon vushë, sami amenë e karrocierë guomindanas, por me lavire dhe veshëshpuar që mbajnë mikrofonë, e për të cilët gazetat e kuqove sot shkruajnë me germa të mëdha për dashnorin e radhës së numrit tre a katërshifror, apo për tendencat homoseksuale...
Po cilët janë vallë ata që lejojnë monstruozitete të tilla, të huazuara nga televizionet e huaja e që e poshtërojnë aq shumë racën shqiptare, thjesht dhe vetëm me justifikimin e “shikueshmërisë...”, të cilën po duan të na e shesin si komponent të rëndësishëm të tregut mediatik dhe si nivel i lartë i promovimit të suksesshëm të tij??!
Padyshim që më të interesuarit për këtë katrahurë morale janë do pseudoliberalë, që për dreq i japin të drejtë qëllimisht Qoftëlargut që gjëmonte se “nuk do të linte që në Shqipëri të degjenerohej rinia e të hynte derri e të dilte dosa...”, por që bëne qorrin dhe shurdhin për orgjitë e Bllokut, të cilat sot, nëpër dossierë, mediat i pohojnë me gojën e ish bllokmenëve të djeshëm.
Po dhe po, jam i bindur se lëtyra të tilla që fyejnë moralin tonë tradicional dhe racën e shqiptarëve nëpër media, u interesojnë vetëm banditëve të politikës, për përjetësime pushtetesh nëpërmjet shkatërrimit të moralit publik dhe krijimit të specieve jo qytetare, me sens të munguar qytetarie dhe proteste për antivlerat dhe keqmenaxhimin e resurseve krijuese e financiare, private e publike.
Me të tillë pisnesmenë mediash, të përfolur për mafiozë dhe evazorë fiskalë që pastrojnë para dhe fshehin fitimet e pasurohen me gjoja “aktivitete mediatike me shikueshmëri të gjerë”, ndërkohë që televizionet dhe mediat në përgjithësi i kanë dhe i paraqesin me humbje, promovimi i këtyre ndyrësirave nëpër ekrane i shërben vetëm klaneve politike që qëndrojnë mbi banda injorantësh, të pashkolluarish e të papërgjegjshmish në politikë dhe administratë.
Dhe fatkeqësisht, pikërisht në favor të pisneseve të këtij takëmi pisnesmenësh të mediave, kërkohet sot amnistia fiskale, që nuk është tjetër veçse amnisti për mafiozë të fushës së ndërtimeve, të cilët megjithëse kanë ndërtuar mijëra pallatet në të gjithë vendin, nuk kanë regjistruar dhe siguruar as një numër punonjësish të barabartë dobare me gjysmën e pallateve që kanë ndërtuar!!!
Pra kësisoj, edhe moralin publik e shkatërrojmë, edhe sharlatanizmin dhe antimoralin publik e promovojmë, edhe mafian e justifikojmë dhe amnistojmë, por edhe politikën e zvetënuar moralisht e garantojmë nëpërmjet krijimit të homo-capitalisticus, që nuk është tjetër veçse njeriu i konsumit të mbeturinave të pseudovlerave dhe antivlerave që promovohen nëpërmjet mediave të mafiozëve që na mbahen edhe si “elitë e shoqërisë...”.
 Nga Astrit Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›