Bashkë në filma, televizion e marketing
Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” ka mësuar se Stan Dragoti dhe Jim Belushi i kanë bashkuar forcat për të krijuar dhe prodhuar tema dhe përmbajtje filmike, por edhe shfaqje televizive dhe fushata publicitare.
Të njohur si dy shqiptaro-amerikanët më me emër, ata kanë deklaruar se do së shpejti të njoftojnë për projektet e tyre të para dhe për planet e një të ardhmeje të afërt.
Stan Dragoti njihet si regjisori i parë në kinematografinë amerikane me filma zbavitës që kanë pasur sukses të madh. Më vonë, ai është sprovuar edhe fushata publicitare, më e famshmja nga të cilat është ajo me logon “I Love New York”, e cila lavdërohet se ka pasur rol vendimtar për shpëtimin e New York’ut nga kriza ekonomike dhe për ripërtëritjen e imazhit të qytetit në SHBA dhe në botë.
Jim Belushi ndërkaq është një aktor i njohur filmash, i cili viteve të fundit njihet për serialet komike në televizionet amerikane. Ai është vëllai i aktorit të famshëm komik shqiptaro-amerikan, John Belushi.
Duke folur për herë të parë për një bashkëpunim mes tyre për gazetën “Illyria”, Dragoti u shpreh optimist për partneritetin mes dy njerëzve me prejardhje shqiptare.
“Ne kemi bërë spektakle e seriale televizive gjigante, të cilat janë shndërruar në hite, filma të mëdhenj që kanë mbushur kinematë, dhe fushata gjigante reklamuese, si ‘I Love New York’, etj”, tha Dragoti.
“Kështu që, më duket ide shumë e mirë që ne, dy shqiptaro-amerikanë, ta marrin këtë përvojë të jashtëzakonshme dhe ta çojmë në Shqipëri, në Ballkan, e ndoshta më tej në Evropë”.
Ndryshe, ka vite që Dragoti ka udhëhequr njërën nga kompanitë më të famshme publiciare në Manhattan, ndërkohë që Belushi ka luajtur si aktor në të paktën dy seriale televizive me miliona teleshikues, që kanë fituar miliarda dollarë.
Mbetet të shihet se si Dragoti dhe Belushi do të përdorin përvojën e tyre, për të përsëritur suksesin edhe në kontekstin ballkanik dhe evropian, ku interesi për teknologjinë dhe strategjinë e marketingut amerikan ka qenë gjithnjë i lartë.