Njëmbëdhjetë shkrimtarë në Zagreb
Zagrebi ua hap dyert shkrimtarëve kosovarë. Njëmbëdhjetë shkrimtarë nga Kosova do të marrin pjesë në Festivalin e Letërsisë “Vështrime në letërsitë e vogla” (Review of Small Literatures), i cili organizohet në Zagreb nga data 4 deri më 7 tetor të këtij viti. Festivali organizohet nga klubi letrar “Booska” i asociacionit kulturor “Kulturtreger”.
I njohur si festival që për çdo vit në qendër të vëmendjes ka letërsinë e një vendi të Europës Juglindore, ‘Vështrime në letërsitë e vogla’ sivjet, para publikut nga Zagrebi, prezanton njëmbëdhjetë shkrimtarë kosovarë, të cilët kryesisht i takojnë gjeneratës së re të krijuesve.
Ervina Halili, Arben Idrizi, Halil Matoshi, Ardian Haxhaj, Avni Rudaku, Shpëtim Selmani, Shkëlzen Maliqi, Genc Kadriu, Jeton Neziraj, Ballsor Hoxha dhe Qerim Ondozi janë krijuesit që do ta prezantojnë në Zagreb letërsinë e re kosovare.
Jeton Neziraj, njëri prej shkrimtarëve që do të marrin pjesë në këtë festival, e konsideron të rëndësishëm pjesëmarrjen në këtë festival, duke marrë parasysh numrin e madh të të ftuarve.
“Është i rëndësishëm fakti që në këtë festival letrar marrin pjesë një numër kaq i madh i shkrimtarëve të rinj nga Kosova dhe është i rëndësishëm fakti që festivali ka për fokus letërsinë e re të Kosovës”, tha Neziraj. Ai shtoi se letërsia kosovare ka njohur njëfarë getoizimi të llojit të vet, prandaj, daljet e këtilla, sipas tij,janë mundësi e shkëlqyeshme për promovim dhe njohje të letërsisë sonë.
Përpos leximeve të ndryshme, Neziraj tha se do të ketë edhe disa debate mbi tema që lidhen me letërsinë në regjion dhe bashkëpunimet në këtë sferë.
Udhëtimi, qëndrimi dhe të gjitha shpenzimet mbulohen nga Festivali.
“Praktikisht, ua kemi hequr barrën financiare institucioneve tona kulturore, të cilat, zakonisht ankohen dhe nuk shfaqin ndonjë interesim për këso lloj projektesh e iniciativash të rëndësishme”, u shpreh Neziraj.
Përzgjedhjen e autorëve e kanë bërë organizatorët. Ata janë bazuar në autorët e përfshirë në antologjinë e letërsisë së re të Kosovës "Nga Prishtina, me dashuri" që sivjet ka dalë në Beograd dhe Zagreb.
Neziraj tha se këta autorë jo domosdoshmërisht e përfaqësojnë më së miri letërsinë e re të Kosovës.
“Këta janë autorë të rëndësishëm, por jo domosdoshmërisht më të mirët ose reprezentuesit. Thjesht, ky ka qenë vullneti i organizatorit dhe aty nuk ka asgjë të keqe”, shtoi Neziraj.
Romancieri Ardian Haxhaj u shpreh se ky është një rast i mirë për ta prezantuar letërsinë më të panjohur dhe më të papopullarizuar të një vendi që ka qenë nën Jugosllavi.
Ai shtoi se me këtë rast shkrimtarët kosovarë do të flasin për gjendjen reale të letërsisë shqipe në Kosovë, për sfidat dhe vështirësitë që i ka shkrimtaria si dhe për mundësitë e daljes dhe prezantimit të letërsisë sonë në rajon dhe botë.
“Për shembull unë do të mundohem të tregoj për nxitjet e mia për të shkruar romane dhe njëherazi për pretendimet për t’u marrë me tema interesante dhe me tema tabu që do të mund ta tërhiqnin vëmendjen e lexuesve”, tha Haxhaj.
Ai është i mendimit se letërsia e Kosovës mund t’i bëjë ballë tregut letrar të jashtëm sikur të kishte një prezantim më të mirë brenda dhe jashtë. Haxhaj shtoi se rastet si ky duhet të shfrytëzohen si duhet.
“Realisht kjo iniciativë për njohjen e një letërsie të vogël siç është letërsia e Kosovës është marrë nga pala kroate dhe këtë rast dhe rastet e tjera të kontakteve dhe të bashkëpunimit duhet shfrytëzuar në mënyrën më të mirë”, shtoi Haxhaj.
Ervina Halili, e vetmja shkrimtare femër në këtë grup, u shpreh se në Zagreb do të prezantohet me shkrimet, të cilat janë përkthyer në gjuhën serbe e që janë brenda antologjisë “Me dashuri, nga Prishtina”.
Edhe ajo e vlerësoi lartë rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë festival.
“Është shumë e rëndësishme, duke e marrë parasysh se ne për një kohë shumë të gjatë kemi qenë një vend pak i mbyllur sa i përket shfaqjes së artit tonë jashtë dhe kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për me shfaq artin tonë, por edhe me kriju kontakte, sidomos kur e dimë se janë shumë të rëndësishme kontaktet e njerëzve që shkruajnë”, tha ajo.
Lidhur me faktin se pse në mesin e njëmbëdhjetë shkrimtarëve është vetëm një femër, Halili tha se as ajo nuk e ka kuptuar pse ka ndodhur kështu, pasi që sipas saj, numri i femrave që shkruajnë dominon në krahasim me numrin e meshkujve.
“Nuk e di pse femrat gjithmonë janë më pak që e përfaqësojnë vendin ose një shoqëri të caktuar jashtë dhe nuk e kam kuptuar as unë pse”, tha ajo.
Lidhur me këtë, Neziraj tregoi se është dashur të udhëtojnë në Zagreb edhe dy autore femra, por kjo s`ka qenë e mundur për shkaqe teknike. Megjithatë, sipas tij, kjo gjë nuk e ulë vlerën e këtij prezantimi të rëndësishëm të letërsisë së Kosovës në Zagreb.