Eda Zari me një album të ri dedikuar ish-të përndjekurve
“Toka Incognita” është albumi më i ri i këngëtares shqiptare të njohur në botën e xhazit, Eda Zari, që do të promovohet zyrtarisht për publikun ndërkombëtar më 2012. Por para kësaj këngëtarja e njohur e xhazit ka planifikuar që këngët e albumit të saj t’i sjellë “premierë” për publikun shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë, që muajin e ardhshëm. Në faqen e saj zyrtare këngëtarja e xhazit publikon dy datat e koncerteve në Tiranë dhe Prishtinë. Në kryeqytetin shqiptar ajo vjen më 21 tetor, ku do të japë një koncert me këngët e albumit të ri “Toka Incognita”, në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Pas koncertit në Tiranë më 28 tetor, ajo do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar të Prishtinës, për të prezantuar albumin e saj të ri. Këngëtarja me një stil të veçantë të kënduari të muzikë xhaz, ndërthur disa stile si: worldmusic, urban, ethnic-jazz, classic, filmmusic, balkan, african, arabesc beat, lyrical polyphony, globel-trance etj. Këngëtarja Eda Zari, e cila disa javë më parë ka përfunduar albumin e saj të ri, ka vendosur që këngët e këtij albumi të shijohen së pari nga publiku shqiptar. Në Tiranë ajo do të shoqërohet nga orkestra e Radio Televizionit Shqiptar. Këngët e albumit të ri janë një ndërthurje e muzikës xhaz me ispolifoninë. “Kam vendosur të krijoj një version të ri të polifonisë me stilin Xhaz etnik, për të pasuruar shpirtin dhe zërin tim”- është shprehur këngëtarja. Në këtë album ajo shoqërohet nga grupi i saj shqiptaro-gjerman, por vjen dhe me një të ftuar tepër special: ai është Dominic Miller, kitaristi i grupit Sting. “Ky album i dedikohet babait dhe vëllait tim Ilir dhe të gjithë të përndjekurve politik dhe të persekutuarve gjatë regjimit komunist në Shqipëri”- shkruan këngëtarja, e cila është shumë e sigurt që muzika e saj me ritmet e isopolifonisë do të prekë ndjesitë e publikut jo vetëm shqiptar por edhe të huaj.
Me ritmet e Isopolifonisë
“Që në moshë të vogël, shumë nga përvojat e mia si këngëtare kanë kaluar duke kënduar me ritmet ballkanike dhe këngë polifonike nga Shqipëria. Ky stil muzike ka qenë ajo që unë kam dashur gjithmonë. Polifonia është një muzikë e veçantë, që ka qenë vazhdimisht frymëzim për mua. Sidomos vitet e fundit, kam qenë më e interesuar rreth kësaj tradite të muzikës shqiptare. Unë dhe grupi im jemi të bindur se kjo muzikë do të ndikojë te njerëzit. Ne të gjithë kemi dëshirë të dëgjojmë muzikë origjinale, në një mënyrë që gjithkush të ndiejë përmes tingujve dashurinë e vërtetë që vetëm arti mund ta transmetojë. Pa marrë parasysh se çfarë kam arritur apo jo, me këtë album të ri dashuria dhe e vërteta janë padyshim pjesë e kësaj muzike. Prandaj këtë album ia kam dedikuar babait tim, vëllait dhe të gjithë shqiptarëve ish-të përndjekur politik dhe të burgosur të regjimit”- shkruan këngëtarja Eda Zari në promovimin e albumit të ri “Toka Incognita”. Ndërsa bën një shpjegim teknik për dëgjuesit e huaj për Iso-polifoninë shqiptare, si një formë e muzikës tradicionale e Shqipërisë së Jugut. A. Tuci